Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan kritikoi Perëndimin për qëndrimin e tij ndaj konfliktit të vazhdueshëm në Gaza, ku sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 12.000 palestinezë, më shumë se gjysma e tyre gra dhe fëmijë.

“E gjithë bota perëndimore dhe struktura imperialiste kryqtare janë bërë bashkë. Fatkeqësisht, këtë e pashë gjatë vizitës sime në Gjermani mbrëmë. Presidenti gjerman po ashtu reflekton mendësinë e njëjtë”, u tha Erdoğan gazetarëve në avionin presidencial gjatë kthimit nga Gjermania, ku ai zhvilloi vizitë të premten dhe ku u takua me kancelarin Olaf Scholz dhe presidentin Frank-Walter Steinmeier.

Qeveria gjermane ka thënë vazhdimisht se Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër Hamasit dhe ka kundërshtuar thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, duke pohuar se kjo do t’i jepte kohë për riorganizim grupit palestinez.

Erdoğan deklaroi se i ka thënë kancelarit Scholz se Ankaraja është e shqetësuar që Gjermania ishte një nga vendet që abstenoi nga rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila kërkonte armëpushim humanitar në Gaza.

Organizata botërore prej 193 anëtarësh miratoi më 27 tetor rezolutën jodetyruese me 120 vota pro, 14 kundër dhe 45 abstenime. Franca votoi pro rezolutës, Gjermania, Italia dhe Britania abstenuan, ndërsa Austria dhe ShBA-ja votuan kundër.

Presidenti turk theksoi gjithashtu se ka mjaft prova për ndjekjen penale të qeverisë izraelite në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

“Nëse një vend musliman do t’i kishte kryer krimet e luftës që po i kryen Izraeli, nuk do të kishte nevojë për hap të veçantë për juridiksionin ndërkombëtar dhe procesi do të kishte filluar vetvetiu. Ne do të bëjmë çmos, pa paragjykime, që këto krime të ndëshkohen. Edhe nëse të gjithë heqin dorë nga ndjekja e krimeve të Izraelit, ne nuk do të heqim dorë”, potencoi Erdoğan.

“Izraeli hyn në spital me tanke dhe topa. Ende në kërkim të tuneleve nën spital. Doli se e gjitha ishte një gënjeshtër”, tha po ashtu presidenti Erdoğan.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re