Turqia shpërtheu në festë mbrëmjen e te dielës, pasi presidenti Rexhep Tajip Erdogan triumfoi në balotazh, duke mundur liderin e opozitës, Kemal Kilicdaroglu dhe duke e shtrirë sundimin e tij në një dekadë të tretë.

Rezultatet e shpallura nga Këshilli i Lartë Zgjedhor i Turqisë treguan se Erdogan fitoi me 52,14% të votave, ndërsa kundërshtari i tij mori 47.86%.

Pas fitores, Erdogan mbajti fjalimin jashtë rezidencës presidenciale në Ankara.

 

ERDOGAN

“Tani eshte koha për të lënë mënjanë të gjitha debatet dhe konfliktet në lidhje me periudhën zgjedhore dhe të bashkohemi rreth synimeve dhe ëndrrave tona kombëtare. Ne nuk jemi ne të vetmit fitues, fitues është Turqia. Fituesi janë të gjitha pjesët e shoqërisë sonë, demokracia jonë është fituese”

 

Erdogan tha gjithashtu se ndër prioritetet do të jetë luftimi i inflacionit dhe shërimi nga plagët që shkaktuan tërmetet shkatërrimtare të shkurtit.

Pas publikimit të rezultateve foli edhe kandidati i opozitës, Kemal Kilicdaroglu. Nga selia e partisë së tij ai tha se do të vijojë të luftojë deri sa të ketë një demokraci të vërtetë në Turqi.

 

KILICDAROGLU

“Kjo ishte periudha më e padrejtë e zgjedhjeve në historinë tonë.Ne nuk u përkulëm para klimës së frikës. Në këto zgjedhje u bë i qartë vullneti i popullit për të ndryshuar këtë qeveri autoritare pavarësisht të gjitha presioneve. Ajo që vërtet më trishton, janë ditët e vështira që po vijnë për vendin tonë.

 

Udhëheqës nga e gjithë bota uruan presidentin turk për fitoren, përfshirë presidentin Joe Biden, Vladimir Putin dhe liderët nga Shqipëria e Kosova.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re