Presidenti turk Erdogan, tha se Izraeli ka 25 ditë që kryen krime kundër njerëzimit në Gaza para syve të gjithë botës.

Erdogan kryesoi mbledhjen e kabinetit në Ankara dhe më pas në fjalimin e tij drejtuar kombit tha:

“Qeveria izraelite, e ndihmuar nga mbështetja e pakushtëzuar e Evropës dhe Amerikës, ka 25 ditë që kryen krime kundër njerëzimit para syve të gjithë botës”.

Në lidhje me sulmin e fundit në Spitalin e Miqësisë Turko-Palestineze në Gaza, Erdogan tha se edhe ky objekt shëndetësor për trajtimin e pacientëve me kancer ishte viktimë e barbarisë izraelite: “Ne besojmë se Izraeli, i cili ka humbur plotësisht sensin e tij shtetëror dhe sillet si një organizatë duhet të ndalet”.

Ai tha gjithashtu se që nga sulmet e drejtpërdrejta të Izraelit ndaj civilëve në Gaza, 8,500 palestinezë, kryesisht foshnja, fëmijë dhe gra, janë vrarë deri më sot.

“Ne po vazhdojmë përpjekjet tona për të sjellë para drejtësisë autorët e krimeve të luftës në Gaza”, tha Erdogan.

Presidenti turk Erdogan gjithashtu theksoi me këtë rast se bota perëndimore, e udhëhequr nga vendet evropiane, dështoi edhe një herë në provën e njerëzimit në Gaza: “Duhet të krijohet një mekanizëm i ri sigurie në bashkëpunim me aktorët në rajon. Ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi nëse kjo ndodh”.

Ai theksoi se Turqia deri më tani ka dërguar 213 tonë ndihma në Gaza dhe se një pjesë e saj tashmë ka arritur te banorët e enklavës së bllokuar palestineze.

“Asnjë fjalë e vetme e atyre që vëzhgojnë në heshtje vrasjen e fëmijëve në Gaza nuk do të vlejë asgjë nesër, në asnjë çështje… Bota nuk po përfiton nga gjoja mbrojtësit e të drejtave që tani heshtin ndaj masakrave izraelite”, tha presidenti Erdogan.

Erdogan tha gjithashtu se është e nevojshme të shpallet urgjentisht një armëpushim në Gaza për të parandaluar masakra të reja dhe se kjo duhet të kthehet më tej në paqe të përhershme në rajon. Ai theksoi se do të ishte më e përshtatshme të organizohej një konferencë paqeje për çështjen izraelito-palestineze me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve përkatës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re