Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të mërkurën se në historinë turke ka shumë epope të pastudiuara.
Në takimin e radhës me të zgjedhurit lokalë, mbajtur në ambientet e Kompleksit Presidencial në Ankara, Erdogani u ndal mbi luftërat epike, të cilat nuk përmenden shumë në historinë turke.
Kreu i shtetit turk vuri në pah gjatë fjalimit të tij se Jerusalemi është sot, sikurse dhe në çdo periudhë të historisë, një kalibër (aparat matës) i ndërgjegjes botërore në përgjithësi dhe i asaj në mesin e myslimanëve në veçanti.
Duke u folur për luftërat epike kundër ordhive të kryqëzatave, të cilat vinin në Anadoll për të pushtuar Jerusalemin, Presidenti Erdogan tha se turqit janë një komb i atillë që ushtritë me 600 mijë trupa të kryqëzatave i reduktonte në 60 mijë trupa derisa mbërrinin në malet Taurus.
“Tani jemi vënë ne në këtë peshore të ndërgjegjes për sa i takon Jerusalemit. Të parët tanë e mbrojtën me gjak dhe jetë Jerusalemin dhe të gjithë hapësirën gjeografike islame për 1.000 vite me radhë. Lufta I Botërore është emri i riballafaqimit tonë me këtë sprovë madhore, ndërsa Lufta Çlirimtare quhet epoka e re, që kemi hapur para nesh me frymën e zgjimit”, u shpreh ai.
Populli ynë – vijoi presidenti turk – e njeh Luftën I Botërore vetëm përmes fitores së madhe në Çanakala, ndërkohë që ka ende shumë epope të pastudiuara mirë në lidhje me Luftën I Botërore.
“Njëra prej tyre është fitorja në Kut al-Amara të Irakut, njohur edhe si shpartallimi më i rëndë që kanë pësuar ndonjëherë forcat mendjemëdha britanike dhe ato të antantës”, shtoi Erdogan.
Lideri turk tha se historia e kombit të tij është e mbushur plot me shembuj të luftërave dhe përpjekjeve epike.
“Janë dy raste të tjera, mbi të cilat vlen të qëndrohet: Tërheqja apo kthimi pas nga Jerusalemi vetëm që ai të mos rrënohej nga predhat e artilerisë së rëndë armike, si dhe ndihma e  dërguar vëllezërve tanë azerbajxhanas përmes Armatës Islame të Kaukazit në një kohë që Shteti Osman luftonte në shumë fronte njëherësh”, vlerësoi ndër të tjera Presidenti Erdogan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re