Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se “Ka ardhur koha që BE-ja, e cila në vitet e fundit është larguar nga vlerat e saj të themelimit dhe ka mbetur nën ndikimin e politikave afatshkurtra të vendeve anëtare, të shkruajë bashkë me luftën e Ukrainës një histori të re për veten e saj”.
Në një deklaratë nga Drejtoria e komunikimeve të Presidencës thuhet se presidenti Erdoğan në mesazhin e tij për 9 majin – Ditën e Evropës ka thënë se shpallja e Deklaratës së Schuman-it e cila hodhi themelet e integrimit evropian, festohet si “Dita e Evropës” që nga viti 1999 kur u regjistrua statusi kandidat i Turqisë për në Bashkimin Evropian (BE).
“Idetë në thelbin e Deklaratës së Schuman-it siguruan që pas luftës e cila shkatërroi të gjithë botën, vendet në Evropë të bashkoheshin për paqe, siguri, zhvillim dhe prosperitet duke lënë mënjanë dallimet dhe armiqësitë e tyre”, tha Erdoğan duke shtuar më tej:
“Derisa BE-ja me politikat e përbashkëta që ka zhvilluar nga e kaluara në të tashmen ka shkuar përtej të qenit një projekt paqeje. Ka ardhur koha që BE-ja, e cila në vitet e fundit është larguar nga vlerat e saj të themelimit dhe ka mbetur nën ndikimin e politikave afatshkurtra të vendeve anëtare, të shkruajë bashkë me luftën e Ukrainës një histori të re për veten e saj”.
Erdoğan tha se “Sot kjo tragjedi që po ndodh në mes të Evropës para gjithë botës është në cilësinë e një paralajmërimi për BE-në. Tani, si në periudhën kur u hodhën themelet e integrimit evropian, ka nevojë për solidaritet, bashkëpunim dhe më e rëndësishmja për një pikëpamje vizionare dhe të guximshme”.
Ai potencoi se Turqia ka dhënë një kontribut konkret në kapërcimin e sfidave aktuale, jo vetëm si vend kandidat dhe aleate e NATO-s, por edhe si një partner që ka përvojat e BE-së të rrënjosura thellë dhe të forta.
Pasi tërhoqi vëmendjen se efektet negative të luftës në Ukrainë që kanë arritur në përmasa globale, kanë konfirmuar edhe njëherë se sa rëndësi strategjike ka Turqia për BE-në në shumë fusha, veçanërisht për sigurinë, migracionin, zinxhirët furnizues dhe energji, presidenti Erdoğan tha:
“Në skenën botërore që bëhet gjithnjë e më komplekse, është në interesin e të dyja palëve që në vend të dallimeve tona fokusi të jetë mbi emëruesit tanë të përbashkët dhe në vend të konflikteve të interesit fokusi të jetë mbi vlerat themelore që ne mbrojmë si dhe në zhvillimin e marrëdhënieve Turqi-BE në çdo fushë”.
“Procesi i anëtarësimit të plotë në BE, të cilin Turqia e vazhdon me durim dhe vendosmëri, pavarësisht nga të gjitha llojet e pengesave, duhet të inkurajohet me qasje konstruktive. Kjo është domosdoshmëri për vetë vizionin, të ardhmen, reputacionin dhe besueshmërinë e BE-së. Me këto mendime uroj që ‘Dita Evropës‘ të shërbejë për paqe, mirëqenie dhe solidaritet në gjeografinë tonë të përbashkët si dhe u uroj të gjithë evropianëve, kryesisht qytetarëve të mi 9 majin – Ditën e Evropës”, tha Erdoğan.
Burimi: AA