Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, tha se gjigandi francez i çimentos Lafarge tani është ekspozuar si një nga institucionet më të rëndësishme që mbështet terrorizmin.

“Kur thashë se si gjigandi francez i çimentos, i quajtur Lafarge, mbështeti dhe ndihmoi organizatat terroriste në veri të Sirisë, francezët nuk e kuptuan këtë, tha presidenti Erdoğan.

“Unë ia thashë këtë (presidentit francez Emmanuel) Macron. Tani në parlamentin francez, ata i kërkuan llogari Macron-it për Lafarge”, shtoi Erdoğan në Konferencën e 12-të të Ministrave të Informacionit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) që po mbahet në Istanbul.

“Për momentin, Lafarge është bërë një nga çështjet më të rëndësishme në agjendën e Francës. Lafarge tani është plotësisht e ekspozuar si një nga institucionet më të rëndësishme që mbështet terrorizmin”, shtoi Erdoğan.

Të martën, Lafarge u dënua me një gjobë të rëndë prej 778 milionë dollarësh nga një gjykatë amerikane për mbështetjen e disa grupeve terroriste në Siri në vitet 2013-2014, përfshirë grupin DEASH.

Erdoğan tha se megjithëse Turqia është “shteti i vetëm” që lufton grupin terrorist DEASH në terren, vendi i nënshtrohet “akuzave imorale”.

“Sot zbulohen një nga një me prova dhe vendime gjyqësore, se ata që na shpifën dje, bënë biznes me DEASH-in, tregtuan dhe transferuan miliona euro te terroristët në të njëjtën periudhë”, shtoi ai.

“Terrorizmi digjital përbën kërcënim për sigurinë”

Erdoğan tha në konferencë se diversifikimi i burimeve të lajmeve dhe rritja e përfshirjes së mediave, veçanërisht mediave sociale, në jetën e përditshme, sjell shumë avantazhe, si dhe rreziqe jetike.

“Ndotja e informacionit dhe dezinformimi janë kryefjala e këtyre kërcënimeve”, tha ai.

Gjatë konferencës dyditore, ministra dhe përfaqësues të lartë nga 57 vende do të diskutojnë çështje që do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e medias, komunikimit dhe informacionit në botën islame.

Konferenca, e cila do mbahet nën temën “Lufta kundër dezinformimit dhe islamofobisë në epokën e post-vërtetës”, synon të zhvillojë dhe forcojë bashkëpunimin e vendeve islame në fushën e medias dhe komunikimit.

“Lajmet e rreme dhe mbështetja për organizatat terroriste përbëjnë njërën anë të medaljes, ndërsa ana tjetër është islamofobia dhe ksenofobia”, tha Erdoğan.

Ai tha gjithashtu se terrorizmi digjital përbën një kërcënim të qartë jo vetëm për demokracinë dhe paqen sociale, por edhe për sigurinë kombëtare të vendeve.

Duke iu drejtuar gjithashtu konferencës, kreu i Drejtorisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, tha se ka një rritje të diskriminimit, urrejtjes dhe armiqësisë ndaj islamit dhe muslimanëve në të gjithë botën, veçanërisht në vendet perëndimore.

“Nën ombrellën e organizatës sonë, ne duhet të zbatojmë mekanizma që do të operojnë globalisht në luftën kundër islamofobisë”, tha Altun.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re