Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Që nga viti 2016, mbi gjysmë milion sirianë, që kishin ikur për në Turqi për shkak të konfliktit në shtetin e tyre, janë thyer në Siri, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

 

“Që nga nisja e operacioneve tona ndërkufitare në Siri [më 2016], rreth 526.000 vullnetarë janë kthyer në zonat e sigurta që ne kemi krijuar”, tha Erdogan para Parlamentit turk.

 

Erdogan në muajt e fundit ka thënë se ai po përgatitet që të kthejnë një milion refugjatë sirianë, në baza vullnetare.

 

Ai po ashtu tha se Ankaraja synon që të inkurajojë sirianët që të kthehen “në zonat e sigurta” në kufirin midis Turqisë dhe Sirisë, duke shtuar se të kthyerve do t’u ndërtohen shtëpi dhe infrastrukturë lokale.

 

Zyrtarisht, 3.7 milionë refugjatë sirianë jetojnë në Turqi.

 

Vetëm më pak se nëntë muaj para zgjedhjeve presidenciale, prezenca e refugjatëve sirianë në Turqi është shndërruar në çështje politike, veçanërisht në kohën kur Ankaraja zyrtare po përballet me një krizë ekonomike dhe monetare.

 

Partitë opozitare vazhdimisht u kanë bërë thirrje autoriteteve që të dërgojnë në Siri miliona refugjatë.

 

Lufta civile në Siri, që nisi me shtypjen brutale të protestave anti-qeveritare më 2011, ka lënë të vdekur pothuajse gjysmë milioni persona dhe ka detyruar pothuajse gjysmën e popullsisë së shtetit që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë