Skip to content

Erdoğan mesazh urimi me rastin e Kurban Bajramit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan publikoi një video-mesazh me rastin e festës muslimane të Kurban Bajramit, në të cilën tha se Turqia në masë të madhe ka vendosur nën kontroll pandeminë e COVID-19 me masa në kohë dhe politika shëndetësore.

“Si një vend që ka vendosur kryesisht nën kontroll epideminë e COVID-19 dhe ka ndërmarrë hapa drejt normalizimit, Turqia mirëpret Bajramin në rrethana shumë më të mira”, tha Erdoğan në mesazh.

Ai veçanërisht theksoi rëndësinë e vaksinimit kundër sëmundjes së COVID-19.

“Përparimin që do të bëjmë me vaksinimin është thelbësor për sa i përket shëndetit të qytetarëve, moralit të kombit dhe arritjes së qëllimeve të shtetit”, tha Erdoğan duke shtuar se Turqia është ndër vendet kryesore për sa i përket vaksinimit kundër COVID-19.

“Ne jemi në një nivel shumë të mirë krahasuar me mesataren botërore në vaksinimin kundër COVID-19. Nuk kemi kurrfarë problemesh në furnizimin me vaksina”, tha ai.

Erdoğan u bëri thirrje qytetarëve, të cilët ende nuk e kanë bërë atë, që të vaksinohen kundër COVID-19.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve tanë të përfitojnë nga shërbimi i vaksinimit që tani u ofrojmë të gjithë personave mbi moshën 18-vjeç”, tha presidenti turk.

Ai përgëzoi të gjithë muslimanët në botë për festën e Kurban Bajramit.

“Dëshirojmë që këto ditë të bekuara të sjellin bekime për popullin tonë, botën islame dhe gjithë njerëzimin”, tha Erdoğan, duke shtuar:

“Sigurisht, na vjen keq që ende nuk jemi në gjendje të përmbushim detyrën e Haxhit, e cila është pjesë përbërëse e Kurban Bajramit. Shpresojmë që së shpejti të përjetojmë ditët kur pelegrinazhi, i cili do të mbahet këtë vit me pjesëmarrje të kufizuar të besimtarëve, do të kryhet përsëri në prani të miliona njerëzve. Në mënyrë që të shpëtojmë plotësisht nga pandemia që po prek vendin tonë si dhe të gjithë botën, nuk guxojmë të heqim dorë nga marrja e masave paraprake”, tha Erdoğan.

Ai shfaqi shpresën se vaksina vendore kundër COVID-19 në Turqi do të jetë gati për përdorim deri në fund të vitit.