Është një “padrejtësi e madhe” që kontinenti afrikan, me popullsinë e tij prej 1,3 miliard banorësh, nuk ka të drejtë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Duke iu referuar sloganit të tij, “bota është më e madhe se pesë” në shenjë proteste kundër strukturës jopërfaqësuese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Erdoğan tha se përpjekjet e Turqisë synojnë gjithashtu edhe vëllezërit dhe motrat e saj në Afrikë.

Këto komente presidenti i Turqisë i bëri në fjalimin e tij në Samitin e 3-të të Partneritetit Turqi-Afrikë.

Samiti treditor filloi të enjten me një takim të zyrtarëve të lartë qeveritarë në Stamboll dhe vazhdoi me një takim të ministrave të jashtëm më 17 dhjetor.

Mbi 100 ministra të qeverisë dhe 16 presidentë nga Afrika po marrin pjesë në samitin i cili po mbahet nën temën “Partneriteti i përmirësuar për zhvillim dhe prosperitet të përbashkët”.

“Unë besoj se ne duhet të bashkojmë forcat në mënyrë që Afrika të mund të përfaqësohet në Këshillin e Sigurimit, siç e meriton”, tha më tej Erdoğan.

Duke nënvizuar se është turp për njerëzimin që vetëm 6 për qind e popullsisë së Afrikës është vaksinuar kundër COVID-19, Erdoğan tha: “Turqia planifikon të dërgojë 15 milionë doza vaksinash në Afrikë”.

Kur vaksina potenciale e Turqisë, e quajtur Turkovac, të marrë autorizimin e përdorimit urgjent, Ankaraja do ta vendosë atë në shërbim të të gjithë njerëzimit, përfshirë Afrikën, theksoi ai.

Duke vënë në dukje se vëllimi i tregtisë së Turqisë me Afrikën kaloi në mbi 25,3 miliardë dollarë vitin e kaluar, presidenti turk shtoi se kjo shifër tashmë ka arritur në 30 miliardë dollarë në 11 muajt e parë të 2021.

“Besoj që me përpjekje të përbashkëta, tregtinë me Afrikën do ta rrisim fillimisht në 50 miliardë dollarë, kurse më pas në 75 miliardë dollarë”, shtoi ai.

Ai tha se kompanitë turke në Afrikë ofrojnë vende pune për rreth 25.000 njerëz pasi kompanitë kontraktuese të vendit “kanë nënshkruar 1.686 projekte me një vlerë totale deri në 78 miliardë dollarë në gjithë Afrikën”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re