Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili po merr pjesë si i ftuar special në Samitin e 22-të të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Samarkand të Uzbekistanit, mbajti fjalim në një seancë me krerët e vendeve vëzhguese dhe delegacioneve të ftuar special.
Në fillim të fjalës së tij, Erdoğan falënderoi presidentin uzbek Shavkat Mirziyoyev për ftesën, ndërsa uroi Iranin për pranimin si anëtare e plotë në SCO.
Ai deklaroi se Turqia “ka një pozicion të jashtëzakonshëm si vendi aziatik më perëndimor dhe vendi evropian më lindor”, duke shtuar se vendi i tij ka lidhje njerëzore, kulturore dhe politike me Azinë që datojnë mijëra vjet më parë.
“Me Iniciativën tonë Azia Përsëri, të cilën e shpallëm në vitin 2019”, Turqia po përpiqet të forcojë marrëdhëniet e saj me kontinentin në të gjitha fushat, tha Erdoğan
Ai theksoi se e shohin SCO-në si përfaqësuesin e sotëm të klimës së tolerancës në Azi dhe kulturës së saj të lashtë të bazuar në botëkuptimin e gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta për problemet, duke shtuar se për këtë i kushtojnë rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve me organizatën.
“Besoj se do të rrisim më tej bashkëpunim me përpjekjet tona të përbashkëta tani e tutje”, tha Erdoğan.
Ai theksoi se bota po përjeton një epokë në të cilën problemet po globalizohen së bashku me mundësitë, si ndryshimi i klimës, pandemia, siguria e furnizimit me energji dhe ushqime, terrorizmi, ksenofobia dhe islamofobia, racizmi, migrimi i parregullt, recesioni ekonomik dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit.
“Këto sfida mund të kapërcehen vetëm me mendësinë bashkëpunimit dhe zgjidhjes globale që do të vendoset”, deklaroi presidenti i Turqisë.
“Ndërsa duhej të ketë më shumë unitet në këtë periudhë, për fat të keq, disa vende kanë preferuar të ngrenë muret e tyre dhe të mbyllen. Me ngritjen e mureve, ndërgjegjet shterohen dhe zërat e të shtypurve bëhen gjithnjë e më të padëgjueshëm”, tha Erdoğan.
“Shembulli më i fundit dhe më i hidhur i kësaj ishte pandemia e koronavirusit. Gjatë kësaj pandemie, e cila na kujtoi edhe një herë se i gjithë njerëzimi ndodhet në të njëjtën anije, organizatat ndërkombëtare dhe vendet e zhvilluara, fatkeqësisht, nuk e kaluan mirë provimin. Disa vende madje arritën në pikën e konfliktit në furnizimin me pajisje mjekësore”, theksoi presidenti turk, duke shtuar se vendi i tij ka ndihmuar 161 vende dhe 12 organizata ndërkombëtare gjatë pandemisë.
Ai rikujtoi se Turqia vazhdon të strehojë mbi 4 milionë refugjatë dhe se vendi është i pari në botë për sa i përket dhurimit të ndihmave humanitare në raport me të ardhurat kombëtare.
Erdoğan përsëriti thënien e tij të famshme, “Bota është më e madhe se 5”, duke theksuar se rendi i krijuar pas Luftës së Dytë botërore ka humbur aftësinë për t’i zgjidhur krizat dhe se sistemi global ka nevojë për reforma. Ai tha se vetë Türkiye bën përpjekje për vendosjen e një rendi më të drejtë, më përfaqësues, më përfshirës dhe më efikas.
“Ndërsa e bëjmë këtë, ne po bëjmë çdo përpjekje për të bërë që paqja, siguria, stabiliteti dhe prosperiteti të mbizotërojë në rajonin tonë dhe më gjerë. Qëllimi ynë është të krijojmë një brez paqeje në rajonin tonë dhe më gjerë me një qasje të diplomacisë sipërmarrëse që vendos njerëzit dhe vlerat humanitare në qendër”, potencoi Erdoğan.
“Në këtë kontekst, ne po bëjmë përpjekje intensive që lufta në Ukrainë të përfundojë sa më parë përmes diplomacisë. Ne jemi në bashkëpunim produktiv me Kombet e Bashkuara dhe palët për sa u përket dërgesave të drithit ukrainas në Detin e Zi. Ne gjithashtu bëjmë përpjekje të sinqerta për të shpërndarë drithë për ata që kanë më shumë nevojë, veçanërisht për vëllezërit dhe motrat tona në Afrikë”, shtoi ai.
Kujtojmë se Turqia po merr pjesë në samitin e SCO-së në nivel presidencial për herë të parë që kur Ankaraja mori statusin e partnerit të dialogut në vitin 2012.
Burimi: AA