Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi sot zbulimin e 85 miliardë metra kub shtesë të gazit natyror në Detin e Zi, pas zbulimit historik të bërë këtë verë.

“Si rezultat i testimit, analizës dhe punës së detajuar inxhinierike, 85 miliardë metra kub të tjera u shtuan në rezervat që kemi zbuluar”, tha presidenti Erdoğan pas inspektimit të anijen e shpimit Fatih.

Ai tha se zbulimi u bë në thellësi prej 4.445 metrash.

“Sasia totale e rezervave të gazit natyror në pusin TUNA-1 të fushës së gazit Sakarya arriti në 405 miliardë metra kub”, shtoi ai.

“Rezervat që zbuluam në Detin e Zi janë burimi më i madh i hidrokarbureve të vendit tonë deri më sot”, theksoi Erdoğan.

Presidenti turk gjithashtu tha se shpreson që varësia e jashtme e Turqisë nga gazi natyror do të ulet ndjeshëm me zbulimet e reja.

Puna në pusin TUNA-1 është finalizuar pasi arriti thellësinë prej 4.775 metrash siç ishte planifikuar, deklaroi presidenti Erdoğan, duke shtuar se kërkimet për burimet e hidrokarbureve në Detin e Zi dhe Mesdhe do të vazhdojnë.

Erdoğan gjithashtu tha se pas mirëmbajtjes dhe furnizimit, anija Fatih muajin e ardhshëm do të jetë në detyrë në një pus tjetër, Turkali-1, në fushën e gazit Sakarya.

Nëndetëse robot

“Ne kemi shtuar nëndetësen robot me telekomandim të teknologjisë së avancuar në industrinë tonë të naftës me pajisje të brendshme dhe kombëtare”, tha ai, duke njoftuar “një hap të ri”.

Erdoğan tha se roboti, i quajtur Kaşif (Eksplorues), do të plotësojë nevojën për energji elektrike në thellësi prej qindra metrash dhe video-pamjet do të merren me telekomandë.

Erdoğan u shoqërua nga zv/presidenti Fuat Oktay, ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak, kreu i Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun dhe zëdhënësi i Presidencës, İbrahim Kalın.

Ky njoftimi i presidentit Erdoğan erdhi shkurt kohë pas zbulimit historik të gazit natyror në gusht, gjithashtu në Detin e Zi.

Të mërkurën, duke folur para deputetëve të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Erdoğan tha: “Ne do të jemi personalisht dëshmitarë të përpjekjeve në vendngjarje dhe do të njoftojmë sasinë e rezervave të reja.”

Njoftimi i bërë këtë gusht për 320 miliardë metra kub të rezervave në Detin e Zi nga anija e shpimit Fatih e bëri Turqinë “shumë të lumtur”, tha presidenti turk, duke shtuar se tani kanë ardhur më shumë lajme të mira.

Pas zbulimit të kësaj vere, kur Fatih zbuloi pusin TUNA-1 në fushën e gazit Sakarya, rreth 170 kilometra larg bregdetit verior të Turqisë, zyrtarët turq thanë se më shumë rezerva mund të gjenden së shpejti.

Zbulimi ishte më i madhi në historinë e Turqisë. Zyrtarët thanë se gazi do të jenë gati për përdorim publik në vitin 2023.

Presidenti Erdoğan gjithashtu tha se “ne nuk synojmë të drejtën e askujt dhe veçanërisht territorin e askujt”, duke shtuar se “do të vazhdojmë ta rrisim ekonominë tonë me fokusimin në prodhim, eksport, punësim”.

“Tashmë as grushtet, as kurthet ekonomike, as lojërat politike dhe as kërcënimet boshe nuk mund ta kthejnë Turqinë nga kjo rrugë që ka hyrë”, theksoi ai.

Duke folur rreth Mesdheut Lindor dhe Bashkimin Evropian (BE), presidenti turk theksoi se “nëse nuk mund të marrë qëndrim të drejtë në Mesdheun Lindor, kjo situatë do të jetë shpallje zyrtare se BE-së po i vjen fundi”.

AA