Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të martën se tensionin e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e ka nisur vendi i tij.
Në Beograd për kontakte zyrtare, kreu i shtetit turk vlerësoi tensionin e fundit me SHBA-në gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun serb, Aleksandar Vuçiç.
“Problemin nuk e filluam ne, shkaktare e problemit është vetë SHBA-ja”, tha Erdogan duke tërhequr vëmendjen se ishte çuditur që autoritetet amerikane s’kishin biseduar me ministrin turk të Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, përpara krizës së vizave.
“Të ngrihet një ambasador në Ankara dhe të marrë një vendim të tillë (pezullimi i vizave), ndërsa më pas të thotë se ‘e bëra këtë në emër të shtetit tim’, është për t’i vënë gishtin kokës. Nëse këtë vendim e ka marrë ambasadori sipas kokës së tij, atëherë ai s’duhet të mbahet më atje. Atij duhet t’i thonë ‘Si i prish marrëdhëniet Turqi-Amerikë? Kush ta dha ty një kompetencë të këtillë?’ Përndryshe, nëse pas tij qëndron administrata amerikane, atëherë ne s’kemi asgjë për të folur me ta. Gjyqësori ka marrë një vendim. Ky person (punonjës i Konsullatës së Përgjithshme të SHBA-së në Stamboll) ndalohet, gjykohet dhe arrestohet. Pastaj brenda (në Konsullatën e Përgjithshme) zbulohet edhe një tjetër person i lidhur me organizatën terroriste gyleniste (FETO). Kjo tregon se aty ka tashmë një problem. Si janë infiltruar këta agjentë në Konsullatën e Përgjithshme të SHBA-së në Stamboll? Ose kush i vendosi këta aty?”, u shpreh ndër të tjera presidenti turk.
Personalisht, unë s’do ta mbaja ambasadorin tim asnjë orë atje, nëse ai do të bënte një diçka të tillë.
“Tani ky ambasador (ambasadori i SHBA-së në Ankara, John Bass) po organizon vizita lamtumire. As unë dhe as ministrat e mi nuk i pranojmë vizitat e lamtumirës së këtij, sepse këtë person nuk e shikojmë si një përfaqësues të SHBA-së”, shtoi Presidenti Erdogan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re