Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikoi ashpër presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, për shkak të ekzekutimeve të fundit të nëntë të rinjve në Egjipt, duke thënë se ai nuk dëshiron të flas me “dikë si ai.”
“Ata kohët e fundit vranë nëntë të rinj. Kjo nuk është diçka që ne mund të pranojmë”, tha Erdogan në një intervistë me CNN-Turk dhe Channel D.
“Natyrisht, do të na thuhet se ky është vendimi i gjyqësorit, por e gjithë kjo është e pakuptimtë”, shtoi Erdogan. “Për ata që pyesin veten se pse Erdogan nuk flet me Sisin, sepse ka ndërmjetës të cilët vijnë këtu ndonjëherë, unë përgjigjem se unë kurrë nuk do të flas me dikë si ai”, tha presidenti turk.
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Egjiptit janë jo-ekzistente që kur ushtria egjiptiane në vitin 2013, e udhëhequr nga Sisi, rrëzoi presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike Mohamed Morsi.
Qindra mbështetës të këtij të fundit u dënuan me vdekje, ndërkohë që Morsi dhe udhëheqës të tjerë të shquar të Vëllazërisë Muslimane, gjithashtu përballen me procese gjyqësore. Egjipti e ndaloi lëvizjen e Vëllazërisë Muslimane dhe e shpalli atë një organizatë terroriste në dhjetor 2013, vetëm disa muaj pas arrestimit të Morsit.
Presidenti turk ka kërkuar lirimin e anëtarëve të Vëllazërisë Muslimane që janë në burgje në Egjipt. “Para së gjithash, ai duhet t’i lirojë të gjithë të burgosurit me amnisti të përgjithshme. Për aq kohë sa këta njerëz nuk do të lirohen, nuk do të jemi në gjendje të bisedojmë me Sisin”, tha Presidenti Erdogan.
Ai gjithashtu kritikoi vendet perëndimore që, siç tha ai, shtruan ‘qilim të kuq’ për Sisin dhe mbyllën sytë kundër ekzekutimeve të fundit në Egjipt.
“Ku janë perëndimorët, a keni dëgjuar zërat e tyre?”, u shpreh Erdogan.