Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se qëllimi i vendit të tij është që pavarësisht pengesave të ndal sa më parë gjakderdhjen në luftën e vazhdueshme Rusi-Ukrainë.

“Qëllimi ynë është të vazhdojmë vrullin që kemi marrë pavarësisht nga vështirësitë në terren dhe të ndalojmë gjakderdhjen sa më parë”, tha Erdoğan në samitin e gjashtë të Konferencës për Ndërveprimin dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA) që po mbahet në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.

Erdoğan shtoi se përpjekjet intensive të Turqisë me Kombet e Bashkuara (OKB) dhe me dy palët në konflikt për të frenuar efektet negative të luftës janë vlerësuar nga e gjithë bota.

Ai tha se marrëveshja e drithërave e arritur në Istanbul në muajin korrik dhe shkëmbimi i të burgosurve në muajin shtator midis Rusisë dhe Ukrainës, të dyja janë “arritje të rëndësishme” në këtë drejtim.

Më 22 korrik, Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt.

Sot më vonë, presidenti Erdoğan pritet të takojë homologun e tij rus, Vladimir Putin, për të diskutuar zhvillimet e fundit dhe luftën në vazhdim.

Turqia ka qenë në kontakt të ngushtë me Rusinë dhe Ukrainën që nga fillimi i luftës. Presidenti Erdoğan në vazhdimësi ka theksuar dëshirën e tij për t’i sjellë së bashku presidentët rus dhe ukrainas në një tryezë negociatash në Turqi për t’i dhënë fund luftës.

“Unë them se një paqe e drejtë mund të arrihet përmes diplomacisë, që nuk do të ketë fitues në luftë dhe humbës në një paqe të drejtë”, tha Erdoğan.

– Ndërprerja e burimeve financiare të terroristëve

Më tej, presidenti Erdoğan tha se grupet terroriste vazhdojnë të kërcënojnë botën, duke denoncuar sesi liderët e PKK-së terroriste, organizatës terroriste FETO që qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016 në Turqi, si dhe ato të DEASH-it vazhdojnë të marrin mbështetje.

“Subjektet që ndihmojnë grupet terroriste dhe që marrin pjesë në aktivitete të propagandës, financimit dhe rekrutimit duhet të bllokohen pa dallim”, tha Erdoğan.

Duke iu referuar Afganistanit, presidenti turk tha se sigurimi i paqes dhe stabilitetit të vendit është jetik për parandalimin e emigracionit dhe frenimit të terrorizmit.

“Ne nuk duhet ta lëmë Afganistanin në fatin e tij. Ne, si komunitet ndërkombëtar, duhet të vazhdojmë ta mbështesim atë me ndihma humanitare”, tha Erdoğan.

Ai po ashtu theksoi se Turqia beson se arkitektuara globale e sigurisë duhet të dizajnohet me një mirëkuptim më të drejtë, më të barabartë dhe më përfaqësues, duke shtuar se Ankaraja promovon rrugë transporti me shumë mënyra dhe mbështet ringjalljen e ‘Rrugës së Mëndafshit’ që lidh Azinë dhe Evropën.

“Samiti i sotëm i Astanas do të mbetet në histori si samiti ku shpallet procesi i kalimit të konferencës në një organizatë ndërkombëtare”, theksoi Erdoğan.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re