Skip to content

Erdogan, reagim të ashpër për Al Aksa-në

Presidenti turk Tajip Erdogan i tha sot homologut të tij palestinez Mahmoud Abbas se ai dënon goditjen e forcave izraelite të sigurisë ndaj besimtarëve palestinezë në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem, duke u zotuar se do të kundërshtojë çdo përpjekje për ta rrëzuar atë.

Komentet e presidentit turk vijnë pasi Turqia dhe Izraeli kërkojnë të normalizojnë marrëdhëniet pas vitesh tensioni, kryesisht për konfliktin palestinezo-izraelit dhe mbështetjen turke për Hamasin, i cili kontrollon Rripin e Gazës.

Të paktën 152 palestinezë u plagosën gjatë përleshjeve me forcat speciale izraelite në xhaminë Al-Aksa të premten.

“Gjatë bisedës sonë telefonike, i thashë zotit Abbas se dënoj fuqishëm ndërhyrjen e Izraelit në xhaminë Al-Aksa dhe se ne qëndrojmë kundër provokimeve apo kërcënimeve kundër të regjimit apo frymës së tij”, ka shkruar presidenti i Turqisë në Twitter.

“Turqia është gjithmonë në anën e Palestinës”, shtoi ai.

Xhamia Al-Aksa ndodhet në qytetin e vjetër, në Jerusalemin Lindor, i cili u pushtua nga Izraeli në vitin 1967 gjatë Luftës Gjashtë Ditore, dhe është për muslimanët vendi i tretë më i shenjtë i Islamit dhe për hebrenjtë Mali i Tempullit, një vend i shenjtë i Judaizmit.

Këtë vit tensionet janë të larta pasi riti i Ramazanit përkon me kremtimin e Pashkës hebreje.

Turqia, e cila mbështet një zgjidhje me dy shtete për konfliktin palestinezo-izraelit, beson se një afrim me Izraelin do të ndihmojë gjithashtu në gjetjen e një zgjidhjeje, por rithekson se nuk do të heqë dorë nga mbështetja për palën palestineze për të përmirësuar marrëdhëniet me Izraelin.

Tajip Erdogan i tha presidentit izraelit Isaac Herzog, i cili u mirëprit së fundmi në Ankara, se Turqia pret që autoritetet izraelite të tregojnë ndjeshmëri ndaj Xhamisë Al-Aksa gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.