Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se “para Turqisë janë vendosur kurthe sa herë që janë bërë progrese dhe sa herë që ajo është nisur drejt objektivave të mëdha”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Para Turqisë janë vendosur kurthe sa herë që janë bërë progrese dhe sa herë që ajo është nisur drejt objektivave të mëdha. Edhe disa të pamatur nga brenda nesh, dikush qëllimisht, dhe disa të pa vetëdijshëm e kanë bërë lojën e figurës në këtë”, tha presidenti Erdogan në qytetin Samsun gjatë një fjalimi në ceremoninë e prezantimit të kandidatëve për kryetar bashkie dhe të komunave në zgjedhjet që do të zhvillohen në vend në muajin mars.

Erdogan ka folur për zhvillimin dhe investimet që kanë kryer në qytetin Samsun duke përmenduar 34 objektet për shëndetësi, projektet e ndërtimeve të banesave për personat në nevojë, si dhe për rrugët dhe hekurudhën.

Duke vënë theksin se Turqia që prej 16 vitesh po përjeton periudhën e progresit dhe se vazhdon rrugën e saj në drejtim të duhur, Erdogan tha se, “Por sërish vendosin kurthe në rrugën tonë. Kaloni para syve tuaj ngjarjet e përjetuara në 5-6 vitet e fundit. Cila prej tyre mund të jetë puna e mendjeve që mendojnë për interesat e këtij vendi dhe kombi? Mendoni pak me ngjarjet Gezi, mos vallë dëshironin ta bënin këtë vend më ambientalist… jo kurrë”.

“Po ashtu edhe në tentativën e grusht shtetit polici-gjyqësor të 17/25 dhjetorit. Mos vallë do ta bënin drejtësinë tonë më të drejtë… jo kurrë. Edhe me mbështetjen e dhënë ndaj sulmeve të PKK-së dhe FETO-s nuk po përpiqeshin që të forconin demokracinë e vendit tonë”, shtoi presidenti Erdogan, duke vënë theksin se qëllimi i të gjitha këtyre përpjekjeve ka qenë për të ndërprerë progresin e Turqisë dhe për ta futur atë sërish në turbulencë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re