Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi sot se vendi e ka bërë politikën e tij bazë luftën kundër dhunës ndaj grave.

Në një takim në Stamboll me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave, Erdoğan tha se Türkiye këtë datë të shpallur 24 vjet më parë nga Kombet e Bashkuara (OKB) po e shënon me një sërë aktivitetesh.

Duke thënë se qëllimi i Türkiyes është të rrisë ndërgjegjësimin e çdo qytetari për dhunën ndaj grave në jetën e tyre në shoqëri, Erdoğan theksoi se vendi i tij ka arritur një nivel të avancuar në këtë drejtim.

Ai theksoi se gratë në Türkiye janë të vetëdijshme dhe e dinë të vërtetën, pavarësisht se ka disa qarqe që duan ta lënë në hije këtë sukses me fushata të qëllimshme përmes mediave dhe rrjeteve sociale.

“Si shtet ne kemi vendosur si politikën tonë bazë luftën kundër dhunës ndaj grave. Për këtë kemi themeluar Ministrinë tonë të Familjes dhe Shërbimeve Sociale në vitin 2011. Ne kemi treguar se jemi përkrah grave”, tha presidenti turk.

Duke theksuar se familja është themeli i shoqërisë, Erdoğan tha se pa familjen, ekzistenca e njeriut si individ nuk do të ishte e plotë.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se sulmet ndaj institucionit tonë të familjes nuk kanë lidhje me mbrojtjen e të drejtave të grave. Ne e shohim luftën kundër dhunës ndaj grave si pjesë integrale të luftës sonë për të forcuar familjen”, tha Erdoğan dhe shtoi se një familje stabile dhe e shëndetshme është mburoja e luftës kundër dhunës ndaj grave.

Erdoğan tha se qëllimi është që vizioni i “Shekullit të Türkiyes” të jetë në fund të fundit vizioni i “Shekullit të Gruas”.

“Besojmë se Komiteti Koordinues i sapokrijuar për Luftën kundër Dhunës ndaj Grave do të zhvillojë aktivitete të denja për vizionin tonë të Shekullit të Türkiyes”, tha ai.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re