Përdorimi i valuave kombëtare në tregtinë ndërkombëtare midis vendeve islame është një hap i rëndësishëm drejt thyerjes së “prangave” imperialiste, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton AA, .

Nxitja i tregtisë midis anëtarëve të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tregtar të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (COMCEC) do t’i bënte ata më të fortë, theksoi Erdogan në një fjalim në Seancën e 34-të Ministrore të COMCEC në Stamboll.

Ai nënvizoi se nxitja e tregtisë ndërkombëtare midis vendeve islame është kruciale.

“Ftoj vendet islame të kryejnë procedurat dhe të përditësojnë listat e koncesioneve për të realizuar një sistem tregtar preferencial”, shtoi presidenti turk.

Duke folur në lidhje me përvjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore, ai tha se gjakderdhja dhe krizat në rajone si Siria, Iraku, Jemeni dhe Palestina burojnë nga kufijtë e vizatuar në përfundim të luftës.

“Muslimanët nuk duhet të mashtrohen nga ata që përpiqen të nxisin dallime mes tyre dhe t’i kthejnë ata kundër njëri-tjetrit”, shtoi ai.

“Në rajonet ku kufijtë janë vendosur me gjak, ne në zemrat tona nuk duhet të ngremë kufij të rinj dhe mure të reja”, tha më tej Erdogan.

Nëse miliona njerëz janë të varfër dhe të uritur në Jemenin e shkatërruar nga lufta, muslimanët janë përgjegjës për këtë dhe jo të tjerët, tha ai.

Duke theksuar se sistemi i anëtarësimit të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është i padrejtë, ai riafirmoi nevojën që ky sistem të reformohet.

Erdogan ka mbrojtur për një kohë të gjatë zgjerimin dhe reformimin e Këshillit të Sigurimit, duke përdorur sloganin: “Bota është më e madhe se pesë”.

“Ne nuk duhet të biem në grackën e atyre që i japin më shumë peshë një pike nafte sesa një pike gjaku”, tha Erdogan.

Erdogan tha se Turqia do të inkurajojë njerëzit e saj për të vizituar Kudsin, kështu që, siç tha ai, “pushtuesit nuk do të errësojnë dritat e qytetit të shenjtë”.

“Organizatat ndërkombëtare kanë zhgënjyer muslimanët mbi Palestinën dhe luftërat civile, edhe pse muslimanët kanë bërë presion ndaj tyre për zgjidhje”, deklaroi presidenti turk.

Presidenti Erdoğan tha se për sa kohë që muslimanët dhe njerëzit që mbrojnë drejtësinë dhe lirinë ekzistojnë, Palestina do të vazhdojë të ekzistojë.

Sesioni i 34-të Ministror i COMCEC filloi të hënën dhe do të zgjasë deri të enjten.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re