Duke komentuar takimin me presidentin amerikan Joe Biden në Romë, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se nuk kishte vënë re qëndrim negativ të palës tjetër gjatë negociatave për avionët F-16.

Pas kthimit nga Roma, ku mori pjesë në Samitin e Liderëve të G20-tës, Erdoğan iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në avion. Tema kryesore ishte takimi me homologun e tij amerikan Joe Biden.

“Ne kemi negociuar blerjen e avionëve F-16 dhe nuk kam vënë re qasje negative. Shpresojmë të finalizojmë këtë temë, e cila është e ndjeshme për marrëdhëniet e përgjithshme”, theksoi Erdoğan.

Ai shtoi se gjatë takimit kanë diskutuar edhe tema të tjera të rëndësishme.

“Përveç bashkëpunimit për çështjet e Afganistanit, Sirisë, Libisë, Detit Mesdhe, ne kemi vendosur të intensifikojmë marrëdhëniet tona ekonomike”, tha Erdoğan.

Duke folur për mbështetjen e SHBA-së për organizatat terroriste, Erdoğan tha:

“Partneri ynë, me të cilin jemi aleatë në NATO, nuk duhet të angazhohet në një gjë të tillë”.

Erdoğan preku edhe çështjen e nisjes së operacioneve jashtë kufijve të Turqisë, të cilën e kishte paralajmëruar më herët.

“Operacionet antiterroriste ndërkufitare sigurisht që do të kryhen kurdo që të jetë e nevojshme dhe nuk ka kthim mbrapa nga kjo”, përsëriti Erdoğan.

Në kuadër të luftës kundër terrorizmit, Erdoğan shtoi:

“Ndërsa organizata terroriste PKK/PYD/YPG qëndron para nesh, ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme. Nuk do të bëjmë kompromise për këtë çështje”.

Pas vizitës në Romë, Erdoğan pritej të vazhdonte udhëtimin e tij për në Glasgow, ku po mbahet Konferenca e 26-të e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, por ka hequr dorë nga udhëtimi.

“Për shkak të mosplotësimit të kërkesës së Turqisë hoqëm dorë nga udhëtimi në Glasgow. Nuk është vetëm një çështje sigurie, është një çështje e reputacionit të vendit tonë”, tha presidenti turk Erdoğan.

Duke folur se ka pasur bisedime edhe rreth tensioneve në Mesdhe gjatë takimit me Biden-in, Erdoğan komentoi edhe akuzat për ngritjen e bazës në Aleksandropolis të Greqisë:

“Ne i thamë Biden-it dhe Macron-it se krijimi i një baze të tillë na shqetëson seriozisht”.

Ai gjithashtu preku shkurtimisht punën për vaksinën turke të koronavirusit (TURKOVAC).

“Kur të fillojmë prodhimin deri në fund të vitit, do ta ndajmë (vaksinën) me botën dhe do të japim një mesazhin, ju nuk e bëtë, por ne po e bëjmë”, tha Erdoğan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re