Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Turqia nuk ka plane për tokën e një vendi tjetër, por përkundrazi dëshiron vetëm të garantojë sigurinë e kufijve të saj dhe stabilitetin e fqinjëve të saj.

Duke folur në takimin e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), presidenti Erdoğan tha se operacioni i ri anti-terrorist i Turqisë përtej kufijve në Irakun verior, përkatësisht operacioni ‘Pençe-Kilit’ (Kthetra-Dryni), synon “të pastrojë tokat irakiane nga terroristët dhe të garantojë sigurinë e kufijve tanë”.

Erdoğan theksoi se Forcat e Armatosura Turke nisën këtë operacion për të pastruar “zonat e pushtuara në Irakun verior nga terroristët”, duke shtuar se zona është përdorur nga terroristët e PKK-së për të përgatitur dhe organizuar sulme terroriste në tokën turke.

“Ne po bëjmë çdo përpjekje për të kontribuar në forcimin e integritetit të tyre territorial dhe unitetit politik në mënyrë që fqinjët tanë të jetojnë në siguri dhe paqe. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne veprojmë me të njëjtin qëllim në Siri si në Irak”, tha Erdoğan.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë njoftoi se nisi operacionin ‘Pençe-Kilit’ të hënën pas raporteve se PKK-ja terroriste po planifikonte të nis një sulm në shkallë të gjerë, duke shtuar se operacioni është në përputhje me parimin e vetëmbrojtjes së Kartës së OKB-së.

Në vitin 2020, Turqia nisi operacionet ‘Pençe-Kaplan’ (Kthetra-Shqiponja) dhe ‘Pençe-Kartal’ (Kthetra-Tigri) në rajonet kufitare të Irakut verior për të garantuar sigurinë e popullit turk dhe kufijve të vendit.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje.

– Palestina dhe Izraeli

Lidhur me tensionet e fundit në Palestinë, presidenti Erdoğan tha se “mbrojtja efektive e kauzës palestineze shtrihet në një marrëdhënie të arsyeshme, logjike, të qëndrueshme dhe të ekuilibruar me Izraelin”.

“Turqia akoma nuk ka ndërmend të mbyllë sytë ndaj pushtimit ose sulmeve ndaj vendeve të shenjta në Kuds dhe në territoret e tjera palestineze. Ne do të vazhdojmë të përmbushim kërkesat e historisë dhe besimit tonë. Për Turqinë, lidhjet politike dhe ekonomike me Izraelin, siç kërkohet nga faktorët global dhe rajonal, janë të ndara nga kauza e Kudsit”, tha Erdoğan.

Dje, në një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit, Isaac Herzov, presidenti Erdoğan tha: “Ne jemi thellësisht të pikëlluar nga fakti se mbi 400 palestinezë u plagosën dhe 18 persona, përfshirë fëmijë, humbën jetën në ngjarjet që ndodhën në Bregun Perëndimor dhe në xhaminë Al-Aksa që nga fillimi i muajit të Ramazanit”.

Herzog vizitoi Turqinë në muajin mars, një lëvizje që analistët e konsiderojnë si hap të mundshëm për përmirësimin e marrëdhënieve turko-izraelite.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku dhe ndodhet xhamia Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967. Ajo e aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re