Turqia dhe Arabia Saudite kanë një vullnet të përbashkët për të “riaktivizuar potencialin e madh ekonomik” midis dy vendeve, tha të shtunën presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, pas vizitës së tij të parë në Mbretëri që nga viti 2017.

Duke iu drejtuar gazetarëve në kthimin e tij nga Arabia Saudite, ku u përpoq të rehabilitonte raportet e dëmtuara, Erdogan tha se palët janë të vendosura të përshpejtojnë përpjekjet për interesa të përbashkëta dhe të përmirësojnë stabilitetin e rajonit, njoftuan mediat turke.

“Ne kemi rënë dakord me Arabinë Saudite për të riaktivizuar potencialin e madh ekonomik përmes organizatave që do të bashkojnë investitorët tanë,” tha Erdogan.

Gjatë vizitës dy-ditore, Erdogan u takua me mbretin saudit Salman bin Abdulaziz Al Saud dhe Princin e Kurorës Mohammed bin Salman për të diskutuar çështje të ndryshme ndërkombëtare, rajonale dhe dypalëshe.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re