Gjatë fjalës së rastit në ceremoninë përuruese të Objektit Shkencor, Teknologjik dhe Kërkimor të Universitetit të Bosforit në Kandilli të Stambollit, kreu i shtetit turk shprehu besimin se kjo ndërtesë, e cila quhet baza e teknologjisë së thellë, do të japë kontribute shumë të rëndësishëm në ekosistemin e kërkimit, zhvillimit dhe inovacionit të vendit.

Duke tërhequr vëmendjen se gjatë pandemisë u vërejt qartë që shëndetësia ka një rëndësi kritike të paktën po aq sa dhe industria e mbrojtjes, Erdogani theksoi se duan të zvogëlojnë deficitin në llogaritë rrjedhëse dhe të përmirësojnë eksportin e produkteve të sektorit shëndetësor duke i plotësuar nevojat e këtij sektori me mundësi vendase e kombëtare.

“Vendet që nuk kanë një infrastrukturë shëndetësore të fortë, sado të pasura të jenë, janë të pafuqishme përballë kërcënimeve serioze. Ne pamë dhe dëshmuam të gjithë së bashku se është e pamundur t’u bëjmë ballë krizave shëndetësore të përhapura, siç është pandemia, pa mbështetjen e informacionit dhe teknologjisë, prodhimit, burimeve njerëzore dhe infrastrukturës. Falë investimeve që ka bërë gjatë 20 viteve të fundit në infrastrukturën shëndetësore, sikurse dhe në çdo fushë të tjerë, Turqia ia doli ta kapërcejë këtë krizë të madhe me humbje minimale”, sqaroi ai.

Erdogani vuri në pah gjithashtu se miliona njerëz nga e gjithë bota vijnë në Turqi për diagnostikim dhe trajtim duke shpenzuar miliarda dollarë.

“Ndërsa vitin e ardhshëm, me lejen e Allahut, synojmë të marrim një pjesë prej 10 miliardë dollarësh nga tregu global i shëndetësisë duke u shërbyer 1,5 milionë pacientëve të huaj në vendin tonë”, tha shefi i Ankarasë zyrtare.

Më tej, Erdogani potencoi se Turqia, përtej të qenit e vetëmjaftueshme në sektorin ushqimor, aspiron ta vazhdojë rrugën e saj të zhvillimit me një kapacitet të tillë që të mund të ushqejë gjithë njerëzimin dhe të përmbushë kërkesat e të gjithë botës.

“Turqia është kandidate për të qenë në ballë të vendeve që konsiderohen «port i sigurt» i së ardhmes në çdo fushë”, u shpreh Presidenti Erdogan mes të tjerash.
Burimi: Trt Shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re