VALENTINA MADANI/ Xhamia e Namazgjasë në qendër të kryeqytetit sot është gati për inaugurimin, që do ta bëjnë Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.

Presidenti turk mbërrin paraditen e sotme në kryeqytet për një vizitë zyrtare disaorëshe. Presidenti i Turqisë, Erdogan, do të pritet me ceremoni zyrtare në Presidencë, ku do të ketë dhe një takim kokë me kokë me homologun Bajram Begaj. Pas mesditës do të mblidhet këshilli i bashkërendimit të nivelit të lartë e mes dy vendeve pritet të firmosen disa marrëveshje. Pas takimit me Kryeministrin Edi Rama, të dy do mbajnë një deklaratë, për të vijuar më tej rreth orës 16:50 me inaugurimin e Xhamisë.

Erdogani do të qëndrojë vetëm një ditë në Tiranë, pasi të premten do të jetë në Serbi për një tjetër vizitë zyrtare në Beograd. Hapja e Xhamisë së Namazgjasë, që konsiderohet si më e madhja në Ballkan, sipas ish-myftiut të Tiranës, Ylli Gurra, është ngjarje e rëndësishme. Kapaciteti i saj është për rreth 8 mijë besimtarë. “Domosdoshmëri thuajse njëshekullore, jo thjesht ndërtimi në pikëpamjen arkitekturore, por thjesht në plotësimin e një domosdoshmërie religjioze”.

Lidhur me lajmin se Xhamia e Namazgjasë do të drejtohet kleriku turk Enes Bastur, Gurra jep këtë përgjigje.

“Personi është një prej hoxhallarëve i cili në aspektin e librit të ‘Kuraniit’, para disa muajsh është shpallur i pari në Turqi”. Ndërsa Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me anë të një postimi thekson se ky institucion do të përfaqësohet nga myftiu i Tiranës, Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës turke, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej.

Punimet për objektin e ri të kultit me një sipërfaqe prej 6 mijë metra katrorë nisën në vitin 2015, një investim i Komunitetit Mysliman të Turqisë në vlerën e 30 milionë eurove.

Inaugurimi do të jetë në orën 16:50, / por përpara këtij eventi, Presidenti Erdogan që mbërrin në Rinas në orën 11:00, do të pritet nga Presidenti Begaj dhe Kryeministri Rama.

Me Kryeministrin Rama, veç takimit kokë më kokë dhe delegacioneve, do të nënshkruajë edhe 3 marrëveshje për arsimin, bujqësinë dhe me agjencinë për informimin e medias dhe më pas do të kenë një deklaratë të përbashkët për shtyp.

Kreu i shtetit turk do të largohet nga Shqipëria për të udhëtuar drejt Serbisë, ku do të pritet nga Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Imami i xhamisë do të jetë myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja, ndërsa për menaxhimin e xhamisë të ndërtuar si një kompleks multifunksional, do të ngrihet një fondacion, që edhe ky do të drejtohet nga imami Teqja. Dhe kështu, pritja e gjatë e besimtarëve myslimanë për Xhaminë e Namazgjasë, që nga viti 2015 kur nisën të hapen themelet, merr fund të enjten e 10 tetorit.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, është lënë jashtë kësaj ceremonie, fakt i njoftuar publikisht nga vetë ai. Për menaxhimin e xhamisë së ndërtuar si një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve, do të ngrihet një fondacion, në krye të të cilit do të jetë imami i Xhamisë së Namazgjasë, në përbërje të të cilit mund të ketë edhe përfaqësues nga Turqia.

Më herët u përfol se imami i Xhamisë së Madhe do të jetë turk, por vetë Enes Bastur njoftoi në “Facebook” se do drejtojë xhaminë në Tiranë, e fshiu postimin. Po dje Policia e Tiranës publikoi dje planin e masave të ndërmarra në kuadër të vizitës së Presidentit turk, Erdogan, i cili pritet të vijë nesër në kryeqytet për inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë.

Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar–Rinas për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi aksi i vjetër Kashar–Rinas nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00 deri në orën 18:00, të datës 10.10.2024 do të jetë i bllokuar. Rrugë të tjera që do të bllokohen janë: Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi tek ishsheshi “Shqiponja”, Unazë (Astir) – rreth-rrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura te ish-hotel “Dajtit” deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” rruga “Ukraina e Lirë”, Bulevardi “Zhan D’Ark” dhe rruga “Xhorxh Bush”./Gazeta Panorama

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re