Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mbërriti në Athinë këtë të enjte së bashku me një delegacion ministrash për takime me homologët grekë duke shpresuar për një faqe të re në marrëdhëniet e tensionuara prej vitesh mes dy vendeve.

 

Erdogan u prit nga ministri i Jashtëm grek George Gerapetritis dhe zyrtarë të tjerë në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës për të vijuar me takimin me presidenten e vendit, Katerina  Sakellaropoulou. Presidentja i tha homologut turk se të dy vendet mund të kenë qasje të ndryshme për çështje të caktuara,  por se duhet punë  e përbashkët për të ruajtur marrëdhënie të mira.

 

 “Është më e nevojshme se kurrë që Greqia dhe Turqia të punojnë së bashku për të forcuar prosperitetin dhe ruajtjen e paqes dhe për të promovuar marrëdhënie të mira fqinjësore për të mirën e dy popujve tanë”, tha presidentja greke.

 

Në të njëjtën frymë u përgjigj edhe presidenti Erdogan.

 

 “Ministrat do të zhvillojnë takime konstruktive. Ne do të diskutojmë se çfarë hapash mund të ndërmarrim për të gjitha çështjet. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë në një mënyrë më të favorshme. Mendoj se do të jetë më mirë për të ardhmen e të dyja palëve që të zhvillojmë bisedime duke e parë gotën gjysmë plot”, tha Erdogan.

 

Pas kësaj, presidenti turk do të pritet në takim nga kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis, me të cilin do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për mediat. Kjo është vizita e parë e Erdogan në Greqi që prej asaj të vitit 2017 dhe ulje ngritjeve të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re