Nga:

Lavdrim CEKA

Fakti që delegacioni turk takoi edhe kryetarin e PD-së, Bashën është tregues i asaj që eksperti i sigurisë Ergys Muzhaqi qartazi e ka thënë dhe në OPINION para një muaji me 6 janar. “Turqia është pranë shqiptarëve, kushdo qoftë në pushtet, në daç PD, në daç PS.”Berisha zhgënjeu Erdoganin për mosvotimin pro-Palestinës në OKB paçka se i kishte premtuar të kundërtën. Sigurisht kjo votë erdhi duke ndjerë presionin e SHBA-ve dhe jo nga dëshira për të dalë fjale.Pavarësisht këtij zhgënjimi të Erdoganit me Berishën, nuk ka ndonjë pengesë që Erdogani apo partia e tij (nënkupto Turqia) të jenë të lidhura edhe me PD. Fati ka dashur që në pushtet të jetë PS e detyrimisht Erdogani (shteti turk) do të ketë marrëdhënie më të afërta me qeverinë për arsye bashkëpunimi ndërshtetërore, pra PS.

Relata të mira ka pasur dhe me PD gjatë kohës që ajo ishte në pushtet. Të njëjtën mbështetje që Erdogani i jep Ramës tani ia ka dhënë dhe PD-së në kohën që ajo ishte në pushtet. Veçanërisht në zgjedhjet e qershorit 2009 që u fituan nga PD. Në hapjen ceremoniale të tunelit Thirrë-Kalimash, vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare, kryeministri i atëhershëm Erdogan do të dilte krah për krah me kryeministrin Sali Berisha.Ndërkohë që Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve (tashmë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) e kryesuar nga Lulzim Basha, i kishte caktuar ndërtimin e tunelit një konsorciumi amerikano-turk.
Ajo që është e re është fakti që delegacioni turk u takua me nota pozitive me Bashën dhe reklamoi këtë takimi. Kështu mbushi dhe boshllëkun tek e djathta nga pritja me temena e Ramës (e të majtës) në Ankara. Ndër eksponentët e së djathtës pritja madhështore e Ramës është parë edhe si tradhëti e Erdoganit ndajtë djathtës. Si pasojë nuk kanë munguar kritikat si nga eksponentë turkofobë, Erdogano-fobë, por edhe bësimtarë musliamanë mbështetës të së djathtës. Siç duket Turqisë i kanë shkuar në vesh këto kritika nëpërmjet instancave të saj në Shqipëri dhe e ka parë të udhës që me anë të këtij delegacioni të përpiqet të rregullojë imazhin, ose më saktë ta përçojë mesazhin “ne nuk mbajmë anë”. Sigurisht takimi me Bashën mund të mos jetë i niveleve më të larta, pasi do të shihej me sy kritik nga qeveria, por përsëri ngelet domethënës.

Edhe më domethënës e bën fakti që Basha vetë ka postuar në rrjetet sociale foto nga ky takim duke shprehur kënaqësinë e një takimi të tillë. Madje ai jo vetëm që nuk ka pasur asnjë kritikë se pse 500+ njësitë e banimit po ndërtohen gjatë qeverisë Rama apo për spitalin e Fierit që duhet të përfundojë para zgjedhjeve, por ka shprehur mirënjohje dhe i ka çuar selam edhe presidentit Erdogan. Në të njëjtën kohë Basha ka shprehur dhe vullnetin e tij të mirë për thellimin e bashkëpunimit dhezgjerimin e marrëdhënieve ekonomike në të ardhmen. Kjo lë të nënkuptohet që Basha e di potencialin e Turqisë dhe dëshirën e saj për të bashkëpunuar me cilëndo po që është në pushtet.

Këtë takim dikush mund ta shohë dhe si lojë me dy porta nga pala turke. Pritja madhështore e Ramës është bërë mbi dy baza: i) si kryeministri i tanishëm i shtetit shqiptar; dhe ii) si fituesi i mundshëm (me votë apo me vjedhje) i zgjedhjeve të prillit. Ndërsa takimi me PD mund të jetë dhe rezervë, nëse ndodh e papritura që Rama të humbas zgjedhjet e prillit. Kështu PD-ja do të vinte në pushtet dhe dyert e bashkëpunimit me të do ishin të hapura që më parë nga ky takim.

LSI-janë këto takime nuk zë peshë askund. Vërtetë është themeluar nga Meta, por takimi me Metën ishte në kuadër të kryetarit të shtetit. Nëse LSI do hynte kund në ekuacion atëherë do kishim dhe një takim me Kryemadhin. Takimi me Metën për shumë persona të informuar mund të ketë ardhur si çudi. Kjo nisur nga mbështetja që Meta u ka dhënë gylenxhive në Shqipëri si vizitat në shkollat e tyre, dhënia e nënshtetësisë etj.

Foto: Meta gjatë vizitës në kolegjin Turgut Ozal, 2 ditë pas vizitës dhe akuzave të Erdogan se zotërohen nga lëvizja Gylen.

Pavarësisht mërive, sigurisht që takimi nuk kishte se si të shmangej pa rënë në sy, pasi bëhet fjalë për anashkalimin e kryetarit të shtetit. Prandaj edhe takimi me Metën dukej se ishte i ftohtë dhe pa pika apo plane konkrete. E gjitha çfarë u përfol ishte bashkëpunimi i ngushtë në fushën ushtarake në kuadër të dy vendeve aleate të NATO-s dhe falënderime për ndihmat e dhëna pas termetit dhe gjatë pandemisë. Këtu duhet theksuar se Turqia ka qenë jo vetë maleate, por edhe udhërrëfyes e ndihmëtar në rritjen e kapaciteteve ushtarake profesionale të ushtrisë shqiptare, e gjitha kjo në kuadër të NATO-s.

Lavdrim CEKA

Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re