Mbërritja e 192 mijë dozave të vaksinës kineze ka përkuar me çeljen e fushatës për zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas ekspertit të shëndetit publik Erion Dasho, ardhja e vaksinave kineze nëpërmjet ndërmjetësimit të një firme turke në ditën e parë të fushatës elektorale hap një mori pikëpyetjesh që lidhen para së gjithash me cilësinë e vaksinës.

“Pse nuk u prit certifikimi i EMA-s, siç ishte deklaruar disa herë në muajt e kaluar?

Në rastin e ‘Pfizer’ dhe ‘AstraZeneca’, cilësia, siguria dhe efektiviteti garantohet nga EMA. Po në rastin e ‘Sputnik’ dhe ‘CoronaVac’, kush garanton? Pse këto vaksina nuk u kontraktuan direkt nga Kina, por po sillen nëpërmjet Turqisë?

A është në dijeni qeveria dhe komitetet se Turqia është një nga vendet e dizenjuara si prodhues dhe eksportues të medikamenteve të falsifikuara, sidomos për mallrat që kanë destinacion tregun europian? A është marrë ndonjë masë shtesë që shqiptarët të garantohen kundër çdo falsifikimi të mundshëm?”, ka shkruar Dasho.

Doktori shkon edhe më tej teksa hedh dyshime për oferta të mundshme që janë bërë qysh në fillim të vitit, por që janë refuzuar për të pritur pikërisht këtë moment.

“A është shkelur ligji shqiptar mbi medikamentet dhe produktet biologjike në këtë rast? Përse nuk u botua justifikimi teknik i komitetit të ekspertëve ose komitetit të vaksinimit për ndryshimin e akteve ligjore?

Në garën e ethshme botërore për vaksina, cili është çmimi real dhe ‘çmimi’ gjeopolitik që është paguar për vaksinat kineze?

Dhe mbi të gjitha: A mund të jetë koincidencë ardhja e vaksinave pikërisht ditën kur nis fushata elektorale? A ka pasur një ofertë nga Turqia për të dhuruar vaksina që në muajin janar?

A ka pasur oferta të tjera për të sjellë vaksina perëndimore shumë javë më parë se sot, atëherë kur administrimi i tyre do të kishte shpëtuar qindra apo mijëra jetë?.

Duke iu gëzuar vaksinave të ardhura sot dhe duke pritur të shohim në veprim logjistikën e nevojshme për t’i dërguar ato te qytetarët në nevojë, sigurisht që do të analizojmë situatën me përgjegjshmëri dhe në detaje, për t’u dhënë përgjigje të gjitha dyshimeve të mësipërme”, mbyll statusin e tij Dasho.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re