Zemra e Tiranës së sotme mban firmën e një prej arkitektëve më të njohur italianë të një shekulli më parë: Gherardo Bosios. Qendra e kryeqytetit u ideua prej tij përmes një vizioni modern që i rezistoi dekadave. Trashëgimia e lënë prej Gerhardo Bosios është parë nga afër edhe nga familja e urbanistit të njohur italian, e cila mori vlerësimin e bashkisë së Tiranës.

 

Erion Veliaj: “Në shenjë mirënjohje, dua t’ju jap “Çelësin e qytetit” të Tiranës. Duke qenë se gjyshi juaj ka themeluar qytetin tonë modern, besuam që ishte udhës, që në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës, t’ju falenderonim e t’ju trajtonim si të shtëpisë, duke ju dhënë edhe çelësin e qytetit tonë”.

 

Veliaj shtoi në fjalën e tij se Gherardo Bosio nuk ka hedhur vetëm themelet e ndërtesave fizike, por ka themeluar edhe një mentalitet të ri të planifikimit urban.

 

Ndërsa Marie Lou Busi, mbesa e arkitektit italian, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për nderimin ndaj familjes së saj dhe për kujdesin që tregohet në ruajtjen e veprave për të cilat Gherardo Bosio punoi me pasion për t’i dhënë Tiranës një fizionomi evropiane.

 

“Ju falenderoj shumë! Jam shumë e emocionuar, por edhe shumë krenare, e mezi pres që të mund t’u tregoj gjithçka të këtushme vajzave, që përmes punës sime, përmes jush, të përjetojnë figurën e babait me krenari dhe emocion. Faleminderit që çoni përpara emrin dhe figurën gjeniale dhe krijuese të këtij njeriu. Faleminderit të gjithëve për gjithë punën e bërë dhe për faktin që mbani gjithë këto vepra për të cilat ai ka punuar me shpirt”.

 

Krahas planeve urbanistike, Gherardo Bosio në Tiranë realizoi Universitetin, Akademinë e Arteve, Kolonadën me Institutin Arkeologjik, Stadiumin “Qemal Stafa”, kryeministrinë, Hotel Dajtin, Pallatin e Brigadave me gjithë parkun e mobiliet unike të tij, si dhe skicoi trajtat e Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar etj.

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re