Në një intervistë për “Edicioni i Pasdites” në Syri TV, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka komentuar planet për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një teatri të ri, ngjarje që kontestohet nga aktivistë, qytetarë dhe organizata e njohur “Europa Nostra”.
Veliaj tha se Teatri do të ndërtohet me kredi, sepse Bashkia nuk i ka paratë. Ndërkohë që aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, pretendojnë se Shqipëria mund të aplikojë për fonde për restaurimin e teatrit aktual, gjë që do të ruante godinën dhe nuk do të sillte kosto për qytetarët.
“Këtu nuk ka asnjë sekret. Ramë dakord që do të marrim një kredi dhe qyteti do të ketë një teatër të ri, siç ka stadiumin e ri, bulevardin e ri, që janë bizhutë e qytetit”, tha Veliaj.
“Për sa kohë Bashkia e Tiranës do të financojë teatrin e ri, fillimisht duhet ti kalojë prona që të bëjë investimin”, shtoi kryebashkiaku i Tiranës.
“Do ta bëjmë me kredi, jo me buxhetin e shtetit. Nuk i kemi paratë në arkë për këtë projekt. Hip se të vrava, zbrit se të vrara. Keq kur e bën publiku, keq kur e bën privati. Nevoja për një teatër kombëtar është e pashmangshme. Në momentin që nuk ke paratë në buxhet, i merr kredi. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Plani a ishte ta bëjmë me paratë e tjetrit, ra. Plani b, do e bëjmë me kredi”, deklaroi Veliaj.