Kryebashkiaku Erion Veliaj padit për herë të dytë kreun e PD Lulzim Basha, lidhur me lejen e ndërtimit që ky i fundit i ka dhënë vetes së tij gjatë kohës që mbante detyrën e kryetarit të bashkisë Tiranës.

 

Padia është depozituar në gjykatë për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ku thuhet se Basha i ka dhënë vetes leje për ndërtim të një kati shtesë në kundërshtim të hapur me ligjin për konfliktin e interesit.

 

Në kërkesë padinë e depozituar në Gjykatë, Veliaj nënvizon se është e dukshme që ish-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka nxjerrë akte administrative për interesa private të tij të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin dhe tjetërsimin e pasurisë në pronësi të tij dhe të bashkëshortes.

 

Sipas Veliajt, ky është një rast i pastër i shfaqjes së interesave personale të ish Kryetarit të Bashkisë dhe njëanësisë dhe mungesës së transparencës në vendimmarrje nga ana e këtij të fundit.

 

“Edhe vendimmarrja edhe zbardhja e lejes janë vendosur dhe firmosur në konflikt të hapur të interesit nga i paditura Basha, në funksionin e kryetarit të Bashkisë Tiranë”, thuhet në padinë ndaj Bashës, ku Bashkia kërkon prej Gjykatës shpalljen si absolutisht të pavlefshme të lejes së dhënë nga kreu demokrat për veten e tij.

 

Ndërkohë që pak ditë më parë, Veliaj paditi Lulzim Bashën dhe Jorida Tabakun në gjykatë për shpifje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re