Adriana Kalaja, avokatja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e ftuar në studion e ‘Fax News’ ka komentuar vendimin më të fundit të Gjykatës Kushtetuese përsa i përket çështjes së Teatrit Kombëtar, ku ka pranuar pjesërisht kërkesën e Presidentit Meta për shfuqizimin e ligjit për “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”” (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

Në lidhje me këtë çështje, avokatja Kalaja është shprehur se ky ishte një vendim i drejtë i ndërmarrë nga kjo gjykatë, duke shpallur kështu fitoren përsa i përket kësaj cështjeje, mirëpo sipas saj, lufta e tyre nuk do të ndalet këtu, pasi pritet që në ditët në vijim të depozitojnë një padi ndaj ambasadorit të BE-së në vendin tonë, Luggi Soreca, i cili sipas saj, ka ndërhyrë, në bashkëpunim me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, përpara se të merrej vendimi për teatrin.

“Ne nuk e dimë se si ka votuar Gjykata Kushtetuese. Ne kemi fituar në këtë institucion dhe nuk e dimë fare se kush është shumica e kush është pakica aty. Megjithatë ne do të ndërmarrim të gjithë hapet e tjerë ligjorë, sepse ne nuk mendojmë, por ne e akuzojmë z. Soreca që ka ndërhyrë dhe për këtë ka konsumuar një vepër penale, në bashkëpunim me Erion Veliajn. Kështu që në ditët në vijim do t’ju vëmë në dijeni të kallëzimit penal që po përgatisim ndaj z. Soreca, për të treguar përpara publikut dhe organeve të drejtësisë, se ne megjithëse e fituam gjyqin, për ne ka rëndësi dënimi i një vepre penale.”, është shprehur në lidhje me këtë temë avokatja Kalaja.

Ndërkohë, duke komentuar edhe aksionin e sotëm të SPAK në qytetin e Lushnjes, ku u arrestuan 11 persona, mes tyre edhe kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, Kalaja u shpreh se shpreson që kjo lëvizje e SPAK të mos ndalet vetëm aty, por të vazhdojë edhe në Bashkinë e Tiranës, ku shkeljet sipas saj janë galoponte.

“Aksioni i fundit i SPAK në Bashkinë e Lushnjes ne na jep shpresë se kjo frymë do të vazhdojë edhe në Bashkinë e Tiranës. Vetëm me çështjen e Teatrit po të merret SPAK-u, unë mendoj se, Erion Veliajt do t’i duhen shumë vite jetë që të dalë nga qelia.”, u shpreh Kalaja.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re