Erion Braçe është i sigurt në rregullsinë e zgjedhjeve të 30 qershorit, aq sa i bashkohet thirrjes së Bindjes Demokratike për të rihapur kutitë:

“Pyesni KQZ pse nuk i hapën. Për mua t’i hapin, nuk do të gjejnë asnjë votë që nuk do të përputhet. Në 121 qendra votimi që unë kam mbuluar”.

Zëvendëskryeministri thotë në një intervistë për A2 CNN se Qeveria është legjitime, dhe se kërkesave të opozitës për largimin e Ramës, mund t’i përgjigjen vetëm me dialog kushtetues:

“Në gjykimin tim dhe në referencë të kërkesës së përsëritur të zotit Basha, nuk ka zgjedhje të parakohshme.

Do të vazhdojmë të këmbëngulim për dialog, por duhet të kuptoni që qasja jonë duhet të jetë thelbësisht kushtetuese”.

E ndërsa numri dy i Qeverise flet për 30 qershorin që kaloi, presidenti Ilir Meta flet për 13 tetorin e ardhshëm.

Ironinë nuk e kursen aspak kur pyetet çfarë është 13 tetori për të.

“Ditë vrapi në mëngjes, atje në park, e kam afër. U kujtova se ditën e diel zakonisht luan edhe Partizani”, thotë Braçe.

Megjithatë, zëvendëskryeministri kishte një lutje për Presidentin e Republikës, që të kursente kthimin në Parlament të ligjit të ndihmës ekonomike:

“Të mos ta bëjë kurban të kësaj historisë së turpshme me beteja personale të këtyre muajve të fundit”.

Më tej, Braçe paralajmëroi një aksion të rëndësishëm në ditët në vijim për kuponin tatimor, ndërsa la të kuptohet se mund të rrëzohet kandidatura e propozuar nga presidenti Meta për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Arsyeja? Nuk ka pasur sipas tij konsultim Parlament-Presidencë.

Në mbyllje të sesionit parlamentar, Braçe tregon dhe për pushimet e tij verore. A qëndron në fuqi urdhri i zotit Rama që ministrat e kabinetit nuk duhet të dalin jashtë Shqipërisë?

“Është një rregull etik që kemi vendosur, unë pushoj nga Radhima deri në Himarë”, thotë Braçe.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re