Në vijim të turit të ciklit kombëtar “Bashkia që duam”, Kryeministri Edi Rama u ndal këtë fundjavë në Berat, ku zhvilloi disa takime me qytetarë, të rinj, operatorë turistikë etj.

Gjatë takimit “Bashkia që duam”, që u zhvillua në pedonalen e qytetit të Beratit, foli edhe koordinatori elektoral i Beratit, njëkohësisht kandidati zyrtar i Partisë Socialiste për këtë Bashki, Ervin Demo.

Ervin Demo, kandidat i PS-së për Bashkinë Berat

Në fjalën e tij Demo u shpreh se “unë kam pasur fatin të kem qenë pjesë e kabinetit Rama 2 dhe ne që në fillim të mandatit filluam një tur llogaridhënieje në të gjithë Shqipërinë dhe, mbi të gjitha, konsolidimin e platformës së bashkëqeverisjes”.

Pikërisht këtë filozofi llogaridhënie dhe dëgjesash për hallet dhe problematikat e komunitetit, ai tregoi se e ka realizuar gjatë kësaj periudhe si koordinator elektoral i Beratit.

“Ajo çka kemi bërë gjatë këtyre muajve është pikërisht kjo gjë: ne kemi filluar kontaktet lagje më lagje, me grupe të vogla banorësh, përtej organizimeve të partisë, për të kuptuar më së miri kush janë nevojat e këtij qyteti, për të kuptuar më së miri se cilat janë problematikat e lagjeve të të gjithë qytetit dhe të njësive administrative, dhe ajo që kemi kuptuar është se, mbi të gjitha, njerëzit kanë nevojë të dëgjohen; është që një pushtet vendor të jetë pranë tyre, duke i dhënë zgjidhje të gjithë problematikave të tyre reale në përmirësimin e shërbimeve që ata kanë çdo ditë.” – u shpreh kandidati i PS-së për Bashkinë e Beratit, Ervin Demo.

Më tej Demo u ndal në disa prej kërkesave elementare të njerëzve në Berat, duke thënë se ata kërkojnë rrugë më të mira, të ndriçuara më shumë, hapësira publike për të rinjtë dhe të moshuarit, një fshat që prodhon më shumë dhe jeton më mirë dhe është ndalur në një “plagë” të qytetit e që ka të bëjë me shpresën që duhet t’u jepet të rinjve në Berat.

Gjithashtu, ai ka folur për krenarinë që duhet të ndiejë çdo qytetar i Beratit nëse jeton me një standard të lartë jetese dhe jo thjesht për shkak të historisë apo të paraardhësve të tyre:

“Beratasit nuk duhet të jenë thjesht të lumtur dhe krenar sepse janë nga Berati për shkak të historisë dhe asaj çka i ka dhënë Zoti dhe asaj që kanë bërë paraardhësit, por, mbi të gjitha, ne duhet të jemi krenar që të jetojmë në një qytet me standard të lartë jetese dhe t’i jepet shpresë të gjithë të rinjve që në këtë qytet e ardhmja mund të ndërtohet shumë mirë dhe të gjithë të kthehen në Berat dhe të bëjnë maksimumin për qytetin e tyre.”

Në fund të fjalës së tij Ervin Demo ka thënë se gara që ai pritet të kryesojë në Berat nuk është thjesht elektorale, por një ide dhe alternativë reale për ta bërë qytetin më të mirë.

“Ne të gjithë bashkë do të bëjmë që në këtë garë elektorale, dhe është shumë e rëndësishme që ta kuptojnë të gjithë, ne nuk garojmë kundër dikujt ose kundër diçkaje, por ne futemi në garë me një ide, një alternativë reale, për të bërë një qytet më të mirë, për të bërë një Shqipëri më të mirë. Ne nuk jemi ata që ndërtojnë makthe, ofrojmë ëndrra të këqia, por ne motivohemi nga realiteti dhe shikojmë gjithë kohës ëndrra të bukura dhe ato i bëjmë realitet, që të preken nga të gjithë qytetarët, gjatë gjithë kohës, pavarësisht bindjeve politike.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re