Ervin Demo ne Sudio Plus: “Qytetin do ta bëjmë të jetueshëm, ja alternativa ime për Beratin”

Ervin Demo ne Sudio Plus: “Qytetin do ta bëjmë të jetueshëm, ja alternativa ime për Beratin”

Rrëfehet Ervin Demo, intervistë ekskluzive për televizionin “Berati”

I ftuar në emisionin “Studio Plus” të gazetarit Sokol Ferro ka qenë kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë Berat, Ervin Demo.

Kjo është intervista e parë e tij në një televizion lokal si kandidat zyrtar për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Në një bisedë të gjatë dhe me mjaft interes, Demo i është përgjigjur interesit të publikut lidhur me të shkuarën e tij të largët, duke filluar nga rinia e hershme, studimet në Britaninë e Madhe, karriera akademike në Shqipëri, e duke vijuar me përvojën e tij politike si kandidat zyrtar i Partisë Socialiste për Bashkinë Berat.

Aftësia për t’u adoptuar me sfidat e jetës dhe, mbi të gjitha, puna është çelësi i suksesit për gjithçka sipas Ervin Demos.

Për të bota akademike ka qenë mjaft e rëndësishme dhe një ndër momentet më të vështira të kësaj periudhe ka qenë pikërisht shkëputja nga karriera akademike dhe marrja e postit të zëvendësministrit të Arsimit, ngase është pikërisht ajo karrierë që e ka formësuar atë më shumë se gjithçka tjetër.

“Është e pafalshme që qyteti të ketë probleme bazike në vitin 2019…” – ka thënë Demo gjatë intervistës së tij, teksa ka filluar të shpalosë alternativën e tij për Beratin e 4 viteve të ardhshme.

Ai ka thënë, gjithashtu, se hallet dhe problemet që ka qyteti i përjetojnë të gjithë njëlloj, ndaj si kandidat nuk do t’i diferencojë qytetarët e Beratit, duke qenë i hapur dhe i gatshëm, siç ka qenë deri më sot, të vijojë të takojë intesivisht të gjithë pa dallime.

“Unë besoj se ne kemi mekanizma në dispozicion, të cilat, nëse i përdorim ashtu siç duhet, mund të kemi realisht një pol zhvillimi të jashtëzakonshëm në Berat. Dhe kjo nuk do të jetë vetëm falë turizmit apo falë miradministrimit që mund të bëjë Bashkia, por, pikë së pari, është falë prioritetit që duhet të ketë Bashkia e Beratit nën mbështetjen financiare që duhet të vijë nga qeveria qendrore.” – ka theksuar më tej Demo gjatë intervistës së tij.

Ai, po ashtu, ka zbuluar shkurtimisht disa prej pikave të programit të tij elektoral: “Zhvillimi urban që duhet të ketë qyteti, kjo lidhur ngushtësisht edhe me turizmin; arsimi, gjë që është shumë i rëndësishëm, duke filluar me standardet e kopshteve dhe të shkollave; bujqësia është një përgjegjësi e madhe që ka Bashkia sot; sporti, sepse është një qytet që ne jemi rritur me traditë të fortë sportive; mjedisi, shërbimet sociale që Bashkia duhet të jetë shumë e fokusuar, janë vetëm disa prej prioriteteve të mia.”– ka thënë më tej ai.

Në fund të intervistës kandidati Demo është shprehur se së bashku me një ekip specialistësh të fushave të ndryshme, ata kanë identifikuar të gjithë problematikën e Beratit, e cila do të paraqitet në programin elektoral zyrtar për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

SUBSCRIBE PER ME SHUME VIDEO SI KJO https://www.youtube.com/channel/UCc3RjTolIhLLCu4wPnxTrjQ?sub_confirmation=1

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re