Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, organizuan panelin “Diaspora Shqiptare për Zhvillimin e Qëndrueshëm”, në kuadër të Samitit të III-të të Diasporës.

 

Diskutimet e panelit u hapën nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, i cili e konsideroi Samitin e Diasporës si një mundësi e mirë për të thelluar komunikimin dhe bashkëpunimin, me qëllim përfshirjen sa më të gjerë të diasporës në zhvillimin e ekonomisë së vendit.

 

Ministri tha se Diaspora përfaqëson një kapital të madh njerëzor, social dhe ekonomik, i cili mund të sjellë përfitime të shumëfishta për ekonominë e vendit, por edhe për kontribuesit nga Diaspora.

 

Në fjalën e tij, Ministri Mete bëri një përmbledhje të zhvillimeve të fundit ekonomike në vend, duke theksuar se ekonomia po kalon një moment pozitiv, në një kohë që procesi i integrimit ka ecur me ritme të kënaqshme, gjë që është konstatuar edhe nga Komisioni Europian në raportin e fundit.

 

Në këtë kuadër, Ministri tha se diaspora shqiptare ka një rol të veçantë në procesin e integrimit europian dhe mund të japë një kontribut të çmuar.

 

“Ky moment i mirë integrues, që kërkon në thelb ndërlidhjen e tregjeve të rajonit me tregjet e Bashkimit Europian dhe që synon konvergjencën ekonomike të këtyre vendeve me vendet anëtare të BE-së, është një mundësi e mirë për përfshirjen e energjive, kapaciteteve njerëzore dhe financiare, por edhe të njohurive të Diasporës shqiptare në këtë drejtim”, u shpreh Ministri.

 

Ministri Mete theksoi faktin se diaspora shqiptare ka një rol kyç në zhvillimin e mëtejshëm social e ekonomik të vendit, duke kontribuar në sektorë si energjia, turizmi, inovacioni dhe aftësitë, arsimi, angazhimi i të rinjve, kultura, etj.

 

Ministri u shpreh se, përtej dërgimit të remitancave, diaspora shqiptare ka potencial për të promovuar sipërmarrjen dhe investimet e huaja direkte, e në këtë kontekst ekzistojnë mundësitë dhe hapësirat për një përfshirje edhe më të gjerë të diasporës, përmes projekteve dhe investimeve në sektorët prioritarë.

 

Në këtë drejtim, Ministri vuri theksin në ndërmarrjen e veprimeve konkrete përmes angazhimit të strukturave dhe institucioneve shtetërore.

 

“Besoj se duhet të kalojmë në konkretizim, duke angazhuar strukturat që janë ngritur, Dhomën e Biznesit të Diasporës, Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrin e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit të përkthejmë eksperiencën dhe mësimet e nxjerra gjatë kësaj periudhe në veprime konkrete që bazohen në modelet më të mira që kanë funksionuar edhe në vendet e tjera”, tha Ministri Mete.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re