Flamur Noka ka reaguar në lidhje me arrestimin e Ervin Muçës, drejtor i IT në Polici. Me anë të një deklaratë për mediat, deputeti demokrat thotë se “Muça është një hajdut me çizme i Rilindjes”, i cili sipas tij ka urdhëruar verbalisht punonjësit e databazës dhe serverave të kryejnë eksportim të bazës së të dhënave të TIMS.

Noka shprehet se të dhënat e qytetarëve shqiptarë të marra nga sistemi TIMS janë përdorur për t’ua shitur grupeve kriminale për të kontrolluar rivalët e tyre.

“Muça sapo erdhi, urdhëroi verbalisht punonjësit e databazës dhe serverave të kryejnë eksportim të bazës së të dhënave të TIMS, në një hard-disk të jashtëm, përfshirë këtu hyrje-daljet e personave, dokumentet biometrike, gjeneralitetet, ngjarjet kriminale dhe jo kriminale, aksionet e policisë, dosjet hetimore, lista terroristësh, gjobat e makinave, informacion territorial sekret, etj”, thuhet në deklaratën e Flamur Nokës.

Deklarata e plotë

Masa e pezullimit nga puna dhe ‘arrestit në shtëpi’ ndaj Ervin Muçës, është prova e radhës se në Shqipëri është instaluar ‘drejtësia me regji’.

Ervin Muça u arrestua, jo se prokurorët nuk i kishin faktet, por se arrestimi i tij duhet bërë për të shpëtuar shefin e tij, Taulant Ballën.

Nëse Tusha është ‘kokë turku’ për Veliajn dhe Ahmetaj për Ramën, Ervin Muça shërben si i tillë për Taulant Ballën.

Ervin Muça ka ardhur në krye të Departamentit IT në Policinë e Shtetit disa ditë para emërimit Ministër i Brendshëm të Taulant Ballës.

Sipas denoncimit të ekspertit të IT Gent Progni, Muça sapo erdhi, urdhëroi verbalisht punonjësit e databazës dhe serverave të kryejnë eksportim të bazës së të dhënave të TIMS, në një hard-disk të jashtëm, përfshirë këtu hyrje-daljet e personave, dokumentet biometrike, gjeneralitetet, ngjarjet kriminale dhe jo kriminale, aksionet e policisë, dosjet hetimore, lista terroristësh, gjobat e makinave, informacion territorial sekret, etj.

Refuzimit të punonjësve, Muça, në stil tipik mafioz, i gjeti zgjidhjen duke marrë një kompani nga jashtë të quajtur Soft Solution dhe bëri eksportimin ilegal të të dhënave.

Grabitësit e TIMS, me “porosi nga lart”, janë paraqitur si punonjës IT të QKB dhe të një kompanie tjetër të quajtur Horizon, me lidhje të dyshimta në Qipro, një parajsë fiskale. Kjo grabitje e të dhënave sensitive policore nga një person në atë kohë pa certifikatë sigurie dhe i pavetuar, pavarësisht denoncimeve të PD dhe ekspertëve, ra në vesh të shurdhër. Një vit më vonë ka ardhur urdhër-arresti kur në fakt, bashkë me të duhet të ishte sponsori dhe shefi i tij në krim, Taulant Balla.

Ervin Muça është i njëjti hajdut me çizme i Rilindjes që vodhi edhe sistemin e pagave nga Drejtoria e Tatimeve kur punonte aty dhe i bëri publike.

Të dhënat e qytetarëve shqiptarë të marra nga TIMS janë përdorur për t’ua shitur grupeve kriminale për të kontrolluar rivalët e tyre.

Emërimi i tij nga Taulant Balla, porosia që të merrte të dhënat e sistemit TIMS, duket sërish edhe te pezullimi i tij dhe urdhri i arrestit shtëpiak nga Prokuroria e Tiranës. Vepra e kryer prej tij dhe porositësve të tij është qartësisht nën juridiksionin e SPAK. Jo vetëm si përfshirje e lartë shtetërore, por edhe për objektin e hetimit, që janë të dhënat sensitive të sigurisë kombëtare.

Arrestimi i Ervin Muçës është kryer nga drejtësia me regji për të shmangur rënien në pranga të një tjetër ministri të Edi Ramës. Me rënien e ministrit të Brendshëm, bie edhe qeveria dhe këtë Edi Rama nuk mund ta pranojë.

Këtë as drejtësia medemek e re nuk mund ta pranojë.

Ata që janë partnerë në krim mbrojnë njëri-tjetrin derisa të bien të gjithë bashkë dhe kjo dite po afron.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re