Skip to content

Ervin Salianji: Kolegu Berisha ka të drejtën të shprehë mendimin e tij, si të gjithë në PD

Nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, ka deklaruar nga Korça se PD do të bëjë gjithçka për të qenë në krah të qytetarëve, të cilët po vuajnë pasojat e krizës së thellë ekonomike dhe rritjes së çmimeve të produkteve bazë dhe karburanteve.

Ndërsa fokusi i opozitës mbetet largimi i Ramës dhe mbrojtja e qytetarëve nga vjedhja dhe abuzimi, Salianji foli edhe për lëvizjen e Berishës.

“Ne nuk ndëshkojmë askënd për mendime, ne i dëgjojmë të gjitha. Në fund ka institucione që vendosin dhe ecim për të njëjtin drejtim për të rrëzuar regjimin e Ramës.

Unë nuk jap dot qëndrime me pritshmëri. Sali Berisha është në shtëpinë e vet në PD dhe cilido, edhe njerëz të profilit shumë më të ulët, keni parë që në PD shprehin lirshëm mendimet, jo më lideri historik i saj, i cili ka trashëgimi pozitive jo vetëm për PD dhe jo vetëm.

Edhe ata që do të jenë dhe që janë në takime i bëjnë nder PD dhe e nderojnë. Të gjithë punojnë së bashku për t’i shkurtuar ditët qeverisë së Ramës”, tha Salianji.

Sa i takon debateve me deputetin Spaho, Salianji tha se interesi i publikut nuk janë marrëdhëniet mes deputetëve, por gjendja e vështirë ekonomike, për të cilën PD ka propozuar 7 masa konkrete për të mbrojtur qytetarët.