I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, i tha Zërit të Amerikës pas nënshkrimit të marrëveshjes energjetike mes Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) dhe Kosovës se marrëveshja është shenjë e thellimit të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Kosova është një partner jashtëzakonisht i mirë në rajon, është një vend kompentent në marrëdhënien tonë në rajon. Gjithçka që mund të bëjmë për ta thelluar bashkëpunimin, jemi të lumtur ta bëjmë”, tha ai.

Kjo marrëveshje, e cila pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës, është nënshkruar të mërkurën në Uashington nga ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha ekzekutive e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, Alice Albright.

Vlera e përgjithshme e saj është 236.7 milionë dollarë.

Në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës, lidhur me rrezikun e ndikimit të situatës së krijuar në Ukrainë dhe synimeve të Moskës te Ballkani Perëndimor, Escobar u shpreh optimist për zmbrapjsen e këtyre synimeve në rajon.

“Asnjëherë nuk kemi parë një unitet të tillë që kemi tani brenda NATO-s dhe unitetin që kemi me partnerët tanë evropianë për t’u siguruar që siguria evropiane është përparësia jonë më e madhe. Në këtë kontekst e konsiderojmë edhe Ballkanin Perëndimor dhe besoj që Ballkani Perëndimor do të jetë në rregull”, tha ai.

Ai shtoi se megjithë sfidat e ndryshme, të gjitha vendet e rajonit kanë përkrahjen dhe vëmendjen e Shteteve të Bashkuara./R.E.L

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re