I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar iu ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që në zgjedhjet e 14 Majit të mos shkojnë në të shkuarën duke iu referuar dyshes Berisha-Meta. Kjo deklaratë vjen pak ditë pasi Escobar e cilësoi sërish Sali Berishën si e shkuara.

Gazetari dhe analisti Mero Baze tha në “Tema e Ditës” në ABC News se mesazhi i Escobarit ishte i qartë se Sali Berisha është e shkuara dhe se qytetarët duhet të shikojnë nga e ardhmja.

“Mendoj se vjen si nevojë për t’ju kundërpërgigjur taktikës së Berishës që po përdor në fushatën elektorale por edhe më parë kundër SHBA. Ka kaq kohë që e maskon betejën kundër SHBA në fillim si betejë kundër Bashës, pastaj kundër Sorosit, kundër konspiracionit ndërkombëtar dhe tani e ka të përqendruar betejën tek fakti se nëse si Foltore merr vota, Amerika do të “gjunjëzohet” dhe do të detyrohet të heqë ‘non gratën’. Për këtë arsye është e dyta herë që Escobar ka përsëritur dy mesazhe të qarta. E para që Amerika nuk impresionohet nga rezultati elektoral dhe non grata nuk ndryshon nga rezultati elektoral dhe e dyta, Sali Berisha është e shkuara. Në të dy rastet, ishte një lloj dalje borxhi për elektoratin opozitar që SHBA ta ndajnë hallin e Berishës që përdor opozitën nga nevoja që ka opozita për pushtet.”, tha Baze.

Sa mund të ndikojë qëndrimi i SHBA në rezultatin e zgjedhjeve?

“Në radhë të parë në momentin që shumica në Kuvend do të jetë rreth 70 përqind që do t’i fitojë koalicioni pro amerikan, socialistët dhe aleatët e tyre. SHBA janë komode në këtë pozicion. Socialistët dhe aletatët e tyre do të kenë një fitore dërrmuese në këto zgjedhje. Berisha do të ketë më shumë vota se PD zyrtare dhe do të ketë një pakicë historike që do të njollosë elektoratin opozitar por edhe historinë politike të Shqipërisë si e vetmja parti gjatë këtyure 32 viteve që ka luftuar kundër SHBA. Beteja e opozitës kundër SHBA do të bëjë që opozita do të bëhet edhe më e vogël dhe shumica më e madhe për faj të Berishës.”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re