VALENTINA MADANI

Athina Zyrtare vazhdon përpjekjet e saj deri në Bruksel për lirimin e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Beleri. Kryetari i Komitetit të Asociimit dhe Stabilitetit të BE-së, Manolis Kefalogiannis, mësohet të ketë takuar në burgun e Tiranës kryebashkiakun e Himarës Fredi Belerin, ndërsa është takuar edhe me djalin e këtij të fundit.

Sipas mediave greke, paralelisht, eurodeputeti i Demokracisë së Re zhvilloi takime me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe relatoren e Raportit për procesin integrues të Shqipërisë, eurodeputeten Isabella Santos, e cila i informoi për udhëtimin që bëri në Shqipëri dhe ndalimin sipas tij të padrejtë të kryebashkiakut të Himarës nga autoritetet shqiptare.

Kefalogiannis i kërkoi presidentes së Parlamentit Evropian të ndërmarrë iniciativa për t’i dhënë fund menjëherë trajtimit të padrejtë dhe diskriminues të kryetarit të zgjedhur.

Kujtojmë se Beleri dhe një tjetër bashkëpunëtor i tij u arrestuan për vjedhje votash, dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit dhe megjithëse nga burgu, arriti të merrte votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në krye të bashkisë së Himarës.

Partia Socialiste dy ditë më parë mori kreun e Këshillit Bashkiak, i cili u zgjodh me shumicë votash Dhimitër Kapaj. Kapaj mori jo vetëm 9 votat e PS-së në këtë Këshill, por edhe votat e këshilltarëve të partisë MEGA dhe të PSD që përfaqësohen në legjislaturën e re të këtij institucioni. Këshilli Bashkiak i Himarës ka 21 këshilltarë. PS ka marrë 9 këshilltare, “Bashkë Fitojmë” 7, PD 4 Këshilltare, Mega 1 këshilltar dhe PSD 1 këshilltar.

Mbledhja e konstituimit të Këshillit Bashkiak të Himarës nisi këtë të martë me tension pasi mbështetësit e Belerit kërkuan daljen jashtë institucionit të bashkisë të punonjësve aktuale, duke pretenduar se brenda duhet te qëndrojnë vetëm mbështetësit e Fredi Belerit.

Ambasadorja e Greqisë në vendin tonë Konstantina Kamitsi së bashku me kreun e PBDNJsë, Vangjel Dule, ishin dje të pranishëm në konstituimin e Këshillit Bashkiak në Himarë. Kamitsi ishte e ashpër sa i takon mospjesëmarrjes së Fredi Blerit në ceremoninë e konstituimit të këshillit bashkiak të Himarës.

Ajo deklaroi për mediat se Belerit iu mohua e drejta e tij për të qenë pjesë e kësaj ceremonie, ndonëse nuk është dënuar dhe ndaj tij nuk ka asnjë akuzë.

“Mungesa e zotit Beleri në mbledhjen e parë të konstituimit, përbën një goditje të madhe të shtetit të së drejtës. Do të ishte regres i madh që Shqipëria në fushën e shtetit të së drejtës, që të humbasë të drejtën e kryerjes së detyrave të tij një kryetar bashkie, zgjedhur në mënyrë demokratike, ndaj të cilit nuk ka akuza, apo dhe nuk është dënuar. BE është komunitet parimesh që duhet t’i zbatojë çdo vend që do të bëhet anëtar i tij”, tha ambasadorja nga Himara, e cila ndoqi nga afër këtë ceremoni, ku nuk munguan as tensionet.

Pak para nisjes së mbledhjes, kryetari i zgjedhur i Himarës, në një letër dërguar këshilltarëve bashkiakë dhe qytetarëve, akuzon Edi Ramën si autorin që fshihet pas arrestimit dhe mbajtjes së tij në burg.

“Pas sulmit shpifës dhe vulgar ndaj meje nga Edi Rama në javën e fundit zgjedhore, arrestimit tim të paligjshëm dy ditë para garës zgjedhore, paraburgimit tim për 45 ditë, sot më penguan të marr detyrën duke tjetërsuar për momentin, rezultatin e zgjedhjeve”, shprehet Beleri.

Nga burgu ku ndodhet prej 12 majit dhe pas rrëzimit të kërkesave nga drejtësia për ndryshim të masës së sigurisë në arrest në shtëpi e deri te lirimi i përkohshëm, Fredi Beleri i bën thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian të mbrojnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Me Belerin në burg, Bashkia e Himarës do të vijojë të drejtohet nga kryebashkiaku socialist në detyrë Gjergji Goro, ndërkohë që socialistët do të drejtojnë edhe Këshillin Bashkiak me Dhimitër Kapajn.

Nga 21 anëtarë që ka Këshilli Bashkiak i Himarës, Kapaj mori 13 vota, kundrejt 8 votave që siguroi Afrovita Dhimojani nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Fredi Beleri është nën arrest që prej 12 Majit, i akuzuar për shitblerje votash. Së bashku me Pandeli Kokaveshin ata u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi, sipas prokurorisë së Vlorës, i kishin dhënë një të infiltruari të saj 40 mijë lekë për 8 vota. Fredi Belerit kryetari të zgjedhor të Bashkisë së Himarës nuk iu dha dje leje që të linte qelinë dhe të bënte betimin si kryebashkiak i Himarës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re