Skip to content

“Është gjykim, jo rigjykim”, rëndohet pozita e Fatmir Mediut. Avokati i familjes Durdaj: Pse kërkesa e SPAK ishte vetëm për ish-ministrin Mediu, çfarë pritet të ndodhë më pas

Dorian Matlija, avokat i familjes Durdaj, shpjegoi pse kërkesa e djeshme ka të bëjë vetëm me Mediun dhe jo me personat e  tjerë të përfshirë në Gërdec.

Ai tha se termi “rigjykim” përdorur dje në media është gabim.

“SPAK kërkon gjykim të çështjes, të Fatmir Mediut, jo rigjykim. Sepse kemi të bëjmë me një rast që nuk është gjykuar fare në themel.

Pra vendimi i mëparshëm i Gjykatës së Lartë për Mediun është vendim pushimi. Nuk ka rigjykim për çështje që nuk janë gjykuar asnjëherë. Në rastin konkret pra, Fatmir Mediu nuk është gjykuar, të tjerët janë gjykuar”, tha avokati për Report TV.

Ai shtoi se “Mediu do gjykohet në bazë të provave që kanë qenë, nuk ka nevojë për prova të reja” dhe kjo do bëhet pasi Gjykata e Lartë të shprehet për kërkesën e SPAK.

Nëse kërkesa pranohet, ish-ministri do kalojë për gjykim në Gjykatën e Posaçme.

“Ka disa probleme teknike, sigurisht që Gjykata do ta vlerësojë, do vlerësojë shumë faktorë, e rëndësishme është që Prokuroria që ka patur gjithmonë tagrin për ta bërë nuk e ka bërë asnjëherë këtë kërkesë që liron nga ngërçi gjykimin e Mediut. Më në fund e bëri SPAK”, – tha avokati

Po ashtu ai shtoi se mund të ketë edhe një rikualifim të veprës penale për të njëjtat fakte.

“Të mos mbetemi thjesht te ‘shpërdorim i detyrës’, mund t’i vendoset edhe një kualifikim tjetër veprës penale, dmth për të njëjtat fakte, por një vepër tjetër penale”.

Ai theksoi se prindërit e 7-vjeçarit e kanë çuar çështjen edhe në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nëse do ketë një vendim të kësaj Gjykate, atëherë rishikohet çdo vendim i gjykatave shqiptare mbi Gërdecin. Pra veç gjykimit të pakryer të Mediut, hapet rruga për rigjykimin e të gjykuarve.

“Ka edhe një aspekt që nëse ka një vendim të Gjykatës Europiane, atëherë rishikohet çdo gjë. Nëse Gjykata Europiane thotë se ka shkelje nuk është bërë gjykimi siç duhet, kjo e rihap çështjen për të gjithë”, u shpreh avokati.