Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar bizneset që tregtojnë ushqime se ata që vendosin çmime më të larta se ai që do të vendoset nga bordi do i mbyllet biznesi dhe do i konfiskohen të gjitha produktet.

“Imagjinoni të nxirrni fitime dhe kur të shkoni tek Shën Pjetri të ju thotë: Ore çfarë bëtë kur ishit në atë jetë? Edhe ju t’i thoni: Kam bërë këtë, kam bërë këtë…Si ka mundësi që kur ishte ajo lufta në Ukrainë keni fituar kaq shumë? Kjo nuk do të ndodhë sepse pastaj ju takon rrethi i fundit i ferrit, po ju them se këtu është i ndarë Zoti, jo në botën tjetër.

Përtej kësaj shakaje, do të ju lutesha shumë që të kisha mirëkuptimin tuaj të plotë. Unë jam kundër ndërhyrjeve të shtetit në shtyllën kurrizore të tregut, jo se jam ideologjikisht i penguar që të jem pro, por në kushte paqeje, kjo është skandal, por në kushte lufte kjo është domosdoshmëri.

Duam mirëkuptimin tuaj të plotë, dhe arsyeja pse po zgjatem është se e dua jo me detyrim, por me bindje dhe me dëshirë. Ju jeni njerëz që nuk keni lindur të pasur, të gjithë e keni nisur nga hiçi, të gjithë keni parë ditë të vështira varfërie, kështu që është koha tani që ta kujtoni këtë gjë për të thënë që ja ku jeni këtu. Sot është dita që duhet të jepni më shumë dhe të mbani më pak.

Nëse themi se çmimi i vajit është ky, ai çmim nuk do të jetë ndryshe dhe kush do ta lëvizi për lart, do të humbasë të gjithë sasisë që ka në dispozicion dhe mundësinë për të tregtuar. Kontrollet do të jenë të vazhdueshme, dhe pasoja është mbyllja direkt e marketit dhe marrja e gjithçkaje që ka brenda. Nuk besoj se do të vijë puna deri këtu dhe uroj të mos vijë sepse nuk po kërkojmë asgjë që cënon palcën e biznesit tuaj”, tha Rama.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re