Prej ditës së sotme (6 shtator) kanë hyrë në fuqi rregullat e reja për çdo qytetar që do të vijë në vendin tonë, ku do ti kërkohet një nga 3 kushtet: vaksina anticovid, test negativ i kryer në 72 orët e fundit, ose dëshmi që e ka kaluar Covid në 6 muajt e fundit.
Rregullat janë të vlefshme edhe për fëmijët mbi 6-vjeç, që sipas qytetarëve është e papranueshme. Një mjek shqiptar nga Maqedonia, i cili kërkonte të hynte në Shqipëri përmes pikës së Qafë Thanës, thotë se është kriminale që tiu bëhet test fëmijëve 6-11 vjeç.
Ai shprehet se testi që në çdo vend të europës kushton 80 cent, në Shqipëri do të duhet të paguhet 25 euro në një kompani fantazmë. Qytetari e ka quajtur këtë një vjedhje të hapur të qytetarëve, dhe tha se me shumë gjasë familja e tij do të kthehet sërish në Maqedoni, pikërisht për shkak të këtij rregulli të vendosur në kufi.
“Papritmas u bllokuam në hyrjen e Qafë Thanës, që edhe fëmijët nga 6-11 vjeç duhet të kenë PCR, kjo nuk vlerësoj se është standard i një vendi europian, shteti amë na vjedh në mes të rrugës në ditën me diell.
Nuk di kush është kjo kompani fantazmë, nuk e di se çfarë teste aplikon mbi fëmijët, jam me profesion mjek. Nuk di nëse ka ndonjë vend të rajonit, në çdo vend të BE ky test kushton 80 cent, në vendin tonë 2 euro, ndërkohë që këtu duan 25 euro që ta bëjnë.
Shpesh testohem vetë për shkak të punës me pacientë me Covid”, shprehet mjeku nga Tetova.
(E.K/Faxweb.al)
…
/faxweb