Një i ri i shtrirë në shtrat, duke pirë një cigare ndërsa flet me një mik në një telefon celular. Gjatë bisedës 20-minutëshe, të mbushur me fjalë të pahijshme në shqip e anglisht, Aleks Vishaj thotë se e urren Britaninë, policinë dhe pyet nëse mund të heqë dorë nga fiksimi i tij i kushtueshëm ndaj pokerit.

“Me një guxim të pacipë, 32-vjeçari e regjistroi veten në një celular të fshehtë nga qelia e burgut Wandsworth në Londër gjatë Marsit të shkuar teksa priste kthimin e tij në Shqipëri. Regjistrimi i paligjshëm u postua në llogarinë e tij private të rrjeteve sociale dhe kjo shënoi herën e fundit kur Britania pa apo dëgjoi prej tij”, shkruan “Daily Mail”.

Media prestigjioze raporton se Vishaj është rikthyer në Britani duke bërë një tallje ndaj sistemit të dëbimit që qeveria ka premtuar të forcojë. Vitin e kaluar, Ministrja e Brendshme Priti Patel firmosi një marrëveshje me qeverinë shqiptare ku i kërkoi të merrte kriminelin, i cili nuk ka asnjë të drejtë qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar.

Një në shtatë të burgosur të huaj në brigjet angleze janë shqiptarë. “Dua të përshpejtoj largimin e këtyrë të burgosurve të rrezikshëm për të mbrojtur britanikët”, u shpreh Patel gjatë një vizite në Tiranë. Karta e Nacionalitetit dhe Kufijve, e cila pritet të kthehet në ligj gjatë këtij viti, përmban pika që përshpejtojnë dëbimin e kriminelëve të huaj në vendet e tyre “kurdo të jetë e mundur”.

Vishaj, për britanikët, përfaqëson simbolin e një sistemi tërësisht të abuzuar. Mbrëmjen e Vitit të Ri, ai postoi një video i veshur me kostum tradicional duke festuar me disa miq në një bar të Londrës teksa këndonte në gjuhën shqipe.

Kthimi i tij ilegal në Britani u bë i ditur nga autoritetet e sigurisë atje si dhe ato shqiptare. Mendohet se Aleks Vishaj zotëron një pasaportë false që e përdor për të udhëtuar me avion ose traget.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re