1 qershori i këtij viti është më ndryshe se asnjëherë për fëmijët shqiptarë. Qeveria ka hequr kufizimet nga korònavirusi dhe ka lejuar që të hapen kopshtet e çerdhet duke i rikthyer të vegjlit në institucionet edukative për Ditën e Fëmijëve.

Pas gati 3 muajsh, fëmijët e shoqëruar nga prindërit kanë lënë shtëpitë, ndërsa në hyrje të kopshteve dhe çerdheve janë hasur me masa të reja të diktuara nga pándemia. Në hyrje të godinës u është matur temperatura, u janë dezinfektuar duart, ndërsa më herët prindërit i kanë dhenë edhe këshilla për mënyrën e sjelljes.

Teksa nëna intervistohet nga gazetarja e Fax News në Tiranë, dëgjohet fëmija duke qarë, për të cilin nëna thotë se, “Është mësuar me mamin në shtëpi dhe e ka pak të vështirë, i duket sikur është kopshti nga fillimi. Në filim do të jetë e vështirë, por mendoj që është e drejtë të hapen që fëmijët të socializohen, të mësohen sepse edhe për këto nuk ka qenë fazë e lehtë, edhe pse ka qenë i vogël dhe nuk e ka kuptuar situatën. Frika tek prindërit ekzistojnë gjithmonë por shpresojmë që të jenë marrë masa dhe të mos kemi probleme.”

Një tjetër nënë, e pyetur nëse ka frikë apo jo nga përhapja e virusit shprehet se duhet të mësohemi me këtë gjendje.

“Kjo luftë nuk ka mbaruar. Mendoj që është individuale dhe them që them se duhet të mësohemi me këtë gjendje. Sic duket edhe agresiviteti i virusit ka rënë. Kam dy fëmijë dhe ka qenë e vështirë sepse kërkonin të dilnin, kërkonin shokët. Kjo na ka shërbyer që të njohim më mirë fëmijët tanë, të kalojmë kohë me ta. Sado që menduam që u mërzitëm, tani që i sjellim do të na mungojnë ditët që kemi kaluar në karantinë bashkë me ta”, tha ajo. (A.M/Faxweb.al)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re