Prej katër ditësh tashmë që nga shpërthimi i të dielës pasdite, llava “gjen rrugën” nga ishulli i La Palma-s drejt oqenit, duke marrë përpara çdo gjë. Mbi 150 shtëpi janë vënë përfund nga llava, ndërsa autoritetet parashikojnë se do të duhen javë apo madje muaj që llava të përfundojë “zvarritjen” e saj.
Në ishull gjen skenarë si ato të filmave. Mijëra njerëz kanë humbur brenda pak momenteve gjithçka kanë ngritur përgjatë jetës së tyre.
“E vetmja gjë që mund të bëjmë… të qajmë. Kishim një biznes të vogël që na mbante gjallë. I humbëm të gjitha. Nuk kam fjalë për ta përshkruar”–tha Lorena, 30 vjeçe.
“Është një katastrofë. Asgjë nuk mund të bëjmë”–tha një tjetër banor, i cili po mundohej të pikaste ndonjë pjesë të shtëpisë së tij, e gllabëruar nga llava.

Zjarrfikësit po mundohen të ndihmojnë. Ka patur tentativa për të ridrejtuar rrjedhën e llavës në disa vende, por duket ndonjëherë se orvatja është një mision i pamundur.

“Të ridrejtosh llavën është shumë e vështirë. Ka shumë diferenca të magmës në shtegun e lënë nga llava dhe ndonjëherë, është diçka e cila i tejkalon mundësitë tona.”-tregoi një prej drejtuesve të zjarrfikësve.
Ka dhjetëra banorë që shkojnë drejt shtëpive të tyre, me shpresën se do të mund të shpëtojnë ndonjë send me vlerë. Kjo grua mori leje nga autoritetet, që për 15 minuta të shkojë në shtëpi e të marrë çfarë i duhet.
Ekspertët parashikojnë se lumi i llavës do të shkojë në oqeanin Atlantik të hënën e ardhshme, e se madje mund të sjellë shpërthime të gazrave toksikë.
