Përplasja mes presidentit Ilir Meta dhe punonjësve të Policisë Bashkiake pritet që të trazojë edhe njëherë ujërat e politikës në vendin tonë. Teksa Veliaj e quajti Metën të degraduar, ka ardhur menjëherë dhe reagimi i presidencës, përmes zëdhënësit Tedi Blushi.

“Meta po kalon një fazë degjenerimi total, psqik total, mendor, teksa është i alkoolizur, ne si Bashki kemi një mundësi shumë të mirë rehabilitimi për të alkoolizuar dhe burrat e dhunshëm dhe do ishim shumë të lumtur që t’ia ofronin këtë shërbim”, tha Veliaj për mediat, ndërkohë që reagimi i presidencës ka qenë flakë për flakë.

“Mos e detyro Presidentin e Republikës t’u bëjë thirrje qytetarëve të të përzenë që sot nga Bashkia e Tiranës, si një qen rrugësh të pasterilizuar, o provokator ordiner i skizofrenit me kartelë.

O vemje, mbaj shënim:

Nuk ke për t’i shpëtuar KURRË dënimit mbarëqytetar, as për shembjen kriminale të Teatrit Kombëtar, as për aferën e zezë sterrë të inceratorëve dhe as për shumë afera të tjera.

MOS GUXO MË të bësh veprime të paligjshme dhe të porositësh dhunë kundër Opozitës, se do të dorëzojmë te gjykatësi popull o horr gjirizash dhe t’i besoj e kupton mirë se çdo do të thotë kjo”, shkruan zëdhënësi i presidentit Meta.

Presidenti Ilir Meta është përplasur fizikisht me policët bashkiakë të cilët kishin ‘uzurpuar’ zyrat e FRD-së duke mos lejuar asnjë anëtar të kësaj force politike të hynte në ambientet e partisë.

I vetmi që ka shkuar në mbrojtje ka qenë Presidenti Ilir Meta i cili gjatë kërkesës së tij për të hyrë në ambientet e partisë Fryma e Re Demokratike ka hasur në rezistencën e policëve bashkiakë, ndërsa presidenti është përplasur fizikisht me ta.

“Do ju çoj në burg me duart e mija, kështu e duan këta”, iu ka thënë Meta punonjësve të Policisë Bashkiake ndërsa është shfaqur shumë i irrituar.

Pasi ka lënë zyrat e FRPD-së Meta është shprehur për gazetarët:

“Kjo bëhet vetëm për të dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht çdo forcë opozitare, duke keqpërdorur bashkinë bandë, është tepër irrituese dhe është paralajmërim për të gjithë qytetarët shqiptarë, për të vënë dorë mbi votën e barabartë. I bëj thirrje që të gjithë opozitës të zgjohet dhe të mos lejojë asnjë prekje të garës, se do të jetë vonë për të dhe jo për popullin shqiptar. Pata një telefonatë nga zoti Shehu, isha duke kaluar këtu rastësisht, ju e patë si u dhunua kryetari i partisë së Tiranës, në prezencë të presidentit. Ose zbatoni ligjet, ose do përfundoni si policët e Mubarakut. I them kryetarit të bashkisë që ju e dini mirë se çfarë keni bërë me firmë dhe pa firmë, se ai tjetri do nxjerri kartelën para 25 Prillit.”

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re