Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, është shprehur se sulmi i djeshëm i grupeve kriminale serbe mbi Policinë e Kosovës është ngjarja më e rëndë që nga koha e luftës.

Komentet Shehi i bëri në emisionin “Open” në News24, ku paralajmëroi se Kosova duhet të jetë e përgatitur, pasi ky mund të jetë vetëm fillimi i një konflikti që mund të marrë përmasa të mëdha.

Ai tha se edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë sa më parë, pasi sipas tij, Serbia mund të dërgojë më shumë trupa paramilitare për të destabilizuar veriun e Kosovës.

“Kjo është ngjarja më e rëndë që nga koha e luftës. Jo thjesht policia, por Kosova duhet të ishin përgatitur. Duhet të përgatiten, pasi mund të jetë fillimi. Nuk besoj se serbët kanë vetëm 30 armë. Zona atje ka qenë e lirë për botën e krimit. Në situatën e re që kemi luftën në Ukrainë dhe agravimet mes Kosovës dhe Serbisë… unë nuk them se ka organizuar Vuçiç, por mjafton që të mbyllësh sytë.

Pra këta janë organizime. Mbyllin një sy se nuk kanë nevojë të implikohen vetë, kjo është një situatë që ka ndodhur shpeshherë në Ballkan. Edhe me Bosnjën kështu filluan. Edhe sot e kësaj dite janë 2 shtete të ndara por me sherre. Qarqe të caktuar të nacionalizimit serbë janë duke e bërë. Tendenca është që Shqipëria dhe Kosova të kuptojë se ‘pa na dhënë atë që duam ne, nuk jeni më sovranë, pasi armët i kemi ne’.

Çfarë sinjali ka dhënë Shqipëria në luftë? Këtë herë ka dhënë një situatë me luftë. ‘Nëse doni luftë, do përgjigjemi’. Kjo mund të zgjojë dhe komunitetin ndërkombëtar që s’mund ta tërheqë zvarrë shtetin e Kosovës. Kosovës i mungon njohja nga disa shtete në Evropës. Që kjo mund të ishte kapak për Serbinë.  Evropa e cila e di mirë situatën duhet të njohë pavarësinë e Kosovës.

KFOR dhe Eurolex duhet të luajnë një rol më të madh. Nga ky moment do fillohet të tentohet një zgjidhje politike, se po u mbetet ta zgjidhin militantët dhe policia. Nuk mban më ujë pilafi, duhet një zgjidhje definitive, politike. Sot solli 30 vetë, nesër mund të sjellë 300”, tha kreu i LZHK-së.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re