Në orët e para të mëngjesit një tjetër tërmet goditi Shqipërinë, që duket se nuk ka qenë dhe aq i lehtë sa u raportua fillimisht.

Lëkundjet u regjistruan 15 km në veriperëndim të Shijakut dhe 31 km në veriperëndim të Tiranës, rreth orës 02:40.

Fillimisht u raportua se lëkundjet ishin me magnitudë 3.7, por në bazë të rikalkulimeve rezulton se fuqia e tërmetit ka qenë më e madhe.

Në përditësimin e fundit të tërmetit në aplikacionin EMSC thuhet se tërmeti ka qenë me magnitudë 4.4 sipas shkallës Rihter.

Lëkundjet alarmuan jo pak banorët e Durrësit dhe Tiranës, gjë e cila pasqyrohet edhe në komentet e shumta që janë bërë në aplikacionin e EMSC-së, ku numërohen më shumë se 500 të tillë.

Kjo lëkundje e fortë erdhi pas tre lëkundjeve me fuqi më të vogël, të cilat nuk e kaluan magnitudën 3.0.

Sizmologët dhe ekspertët deklaruan disa javë më parë që pasgoditjet e tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit mund të vazhdojnë për disa muaj me radhë, dhe kjo sipas tyre nuk ka vend për asnjë lloj alarmi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re