Ratas vendosi të japë dorëheqjen duke deklaruar se për të zgjidhur situata komplekse në politikë duhet të merren vendime të vështira.

“Kam marrë sot vendimin për të dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit”, shkroi Ratas, një herësh lider i Partisë së Qendrës, në një mesazh të postuar në rrjetin social “Facebook” në përfundim të një takimi disaorësh.

Hetimi përqendrohet në kompaninë e pasurive të patundshme “Porto Franco”, e cila mori një hua të madhe nga shteti dhe arriti një marrëveshje fitimprurëse me autoritetet në kryeqytetin Talin të vendit.

Babai i pronarit të kompanisë, biznesmeni Hillar Teder, i ka dhuruar shuma të mëdha Partisë së Qendrës.

“Si kryeministër, unë nuk kisha ndjesinë – në rastin e kompanisë «Porto Franco» – se një ministër apo një parti u përpoq të ndikonte në vendimet e qeverisë në një drejtim të paligjshëm”, theksoi Ratas.

Ai theksoi se shpresonte që dorëheqja e tij do të kontribuonte për të hedhur dritë në të gjitha rrethanat e hetimit për korrupsion, por këmbënguli mbi faktin se nuk kishte marrë asnjë vendim të keq.

Dorëheqja e tij çon në rrëzimin e qeverisë së koalicionit të qendrës së djathtë të formuar nga Partia e Qendrës, Partia Socialdemokrate dhe Partia “Isama”, një forcë politike më pranë ekstremit të djathtë.

Megjithatë zgjedhjet e reja janë pak të mundshme.

Presidentja Kersti Kaljulaid ka tashmë 14 ditë për të emëruar një kryeministër të ri, i cili duhet të miratohet nga Parlamenti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re