Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj thotë se “janë marrë 650 masa disiplinore për të gjithë ata të cilët kanë kryer shkelje apo abuzime me detyrën, apo korrupsion”.

Në studion e emisionit “Java në RTSH” ministrja Gjonaj, tha se “në rastet kur ka pasur indicie për korrupsion janë dërguar të gjitha çështjet në gjykatë dhe numërohen  rreth 38 çështje që i janë dërguar gjykatës”.

“Në vazhdën e rezultateve të taskforcës antikorrupsion tashmë është ngritur rrjeti antikorrupsion, i cili është një strukturë më e qëndrueshme ku janë kordinatorët antikorrupsion që do të atashohen në të gjitha agjencitë, të cilat perceptimin e qytetarëve për korrupsionin e kanë më të lartë, pra ndjeshmëria është me lartë si në prona, në tatime, dogana, inspektorate të ndryshme, shëndetësi, arsim”, – theksoi Gjonaj.

Këta, vijoi ministrja, janë vetëm në nivel qendror dhe pothuajse një numër i dyfishuar do të jetë në agjencitë rajonale që do të shërbejnë si avokatë të qytetarëve në rastet kur ka denoncime apo abuzimin në detyrë apo korrupsion.

“Kjo i përket masave të reja dhe së bashku me organet e drejtësisë SPAK, BKH, gjykatata e posaçme do të japin të gjithë mundësitë për të patur ndëshkueshmërinë në të gjitha nivelet. Rezultate ka pasur, por patjetër do të duhet më shumë punë, kemi një institucion të ngritur rishtaz siç është prokuroria e posaçme.

BKH ka drejtorin, por ende të paplotësuar të gjithë strukturën që do të kryejë të gjithë veprimet për çështjen e korrupsionit në aspektin penal. Në aspektin administrativ i kemi treguar rezultatet tona, do të duhet të bëhet më shumë patjetër dhe kemi jo vetëm vullnetin por dhe angazhimin për të ndërmarrë çdo masë ndëshkuese për ata të cilët bëjnë korrupsion”, – nënvizoi Gjonaj në emisionin “Java në RTSH”.

Më tej ministrja u shpreh se “SPAK ka patur një periudhë tranzitore dhe vazhdon ta ketë edhe për shkak të transferimit të një sërë dosjesh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, padyshim brenda juridiksionit të tyre”.

“Por, vetë SPAK që do të ndihmohet nga BKH sapo struktura të furnizohet me hetuesit dhe policët gjyqësorë do të ketë mundësinë që t’u japë prioritet atyre që janë çështje të mëdha. Deri në fund të dhjetorit që struktura e BKH të jetë e plotësuar do të kemi mundësinë që të kemi disa rezultate”, – tha Gjonaj në studion e emmisio.

E pyetur se në cilën pikë ndodhet reforma në drejtësi, ministrja Gjonaj u shpreh se “reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit mund të ecin vetëm bashkë. Në fund të fundit do të jetë reforma në drejtësi ajo që do të sjelli rezultatet e ndëshkueshmërisë dhe bashkimin e forcave në luftën kundër korrupsionit. Janë të lidhura ngushtësisht nuk mund ta konsiderojmë që mund të ecin veçmas”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re